Lajme

Japonia mirëpret marrëveshjen Kosovë-Serbi: Të dy vendet të angazhohen në mënyrë konstruktive për zbatimin


Ilustrim

Ministria e Punëve të Jashtme të Japonisë ka mirëpritur dakordësimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel më 27 shkurt për propozimin franko-gjerman i mishëruar tashmë në një Marrëveshje.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve përmes dialogut Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Japonia pret që të dy vendet të angazhohen në mënyrë konstruktive për zbatimin e Marrëveshjes”, thuhet në njoftimin e MPJ-së japoneze.

Japonia, në këtë komunikatë, gjithashtu ka theksuar se e mbështet një Evropë të bashkuar fuqimisht nën vlerat themelore dhe mbështet përpjekjet reformuese të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE.

“Nën iniciativën e Bashkëpunimit të Ballkanit Perëndimor. Sipas kësaj nisme, Japonia do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor në rrugën e saj evropiane”, thuhet në njoftim.

Kosova dhe Serbia të hënën, sipas shefit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, kanë pranuar propozimin e Bashkimit Evropian apo gjerësisht i njohur ndryshe si propozimi franko-gjerman, që tash e tutje do të quhet Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e 27 shkurtit e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parasheh njohjen e ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë, por Kosovës përveç themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i kërkohet që së bashku me Serbinë ta formalizojnë statusin e Kishave Ortodokse Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore