Lajme

Japonia miraton shitjen e kontraceptivëve të urgjencës pa recetë


Japonia do të lejojë shitjen e kontraceptivëve të urgjencës pa recetë, disa javë pasi miratoi pilulën e abortit.

Lëvizja do ta sjellë Japoninë në përputhje me dhjetëra vende të tjera ku pilula është tashmë e disponueshme pa recetë.

Rregullat aktuale kërkojnë që gratë, përfshirë ato që janë abuzuar seksualisht, të paraqiten në një klinikë ose spital për të marrë një recetë të kontracepsionit të urgjencës.

Pilulat thuhet se janë më efektive nëse merren brenda 72 orëve pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale të pambrojtura.

Sakaq, vendimi për të lejuar shitjet pa recetë shënon një ndryshim të madh politikash dhe vjen menjëherë pas miratimit të pilulës së abortit në prill.

Më parë, vetëm abortet kirurgjikale ishin në dispozicion, në nëntë javët e para të shtatzënisë.

Aktivistët thonë se pritja e gjatë që Japonia të miratojë pilulën e abortit, e cila prej kohësh ishte e disponueshme në më shumë se 70 vende të tjera, pasqyron prioritetin e ulët që parlamenti dhe komuniteti mjekësor i vendit të dominuar nga meshkujt i japin shëndetit seksual të grave.

Japonisë iu deshën 40 vjet për të miratuar kontraceptivët oralë, në vitin 1999, por vetëm gjashtë muaj për të miratuar ilaçin për mosfunksionimin erektil Viagra.

Sipas ministrisë, kontraceptivët e urgjencës, të cilët kanë një shkallë efikasiteti prej rreth 80 për qind, janë në dispozicion pa recetë në rreth 90 vende të tjera.

Po ashtu masa gëzon mbështetje të fortë publike. Kur një panel i ministrisë së Shëndetësisë ftoi publikun të paraqesë komente vitin e kaluar, më shumë se 90 për qind e 46 mijë e 312 përgjigjeve ishin në favor të shitjeve në farmaci.

Në vitin 2017, paneli nuk miratoi shitjet pa recetë mes frikës se disponueshmëria e lehtë e barnave mund të nxiste sjellje “të papërgjegjshme”.

Por profesionistët mjekësorë kanë bërë thirrje që pilulat të bëhen më të aksesueshme, duke thënë se ato do të rrisin opsionet për të mbijetuarat e përdhunimit dhe potencialisht do të zvogëlojnë numrin e aborteve të shtrenjta kirurgjikale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore