Lajme

Japonia kërkon të zbatohen marrëveshjet e të zbuten tensionet


Akira Imamura

Ambasadori i Japonisë në Serbi, Akira Imamura, ka thënë se Japonia mbështet përpjekjet e Bashkimit Evropian (BE) për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa ka bërë thirrje që të dyja palët të zbatojnë obligimet që burojnë nga Marrëveshja Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksi i Implementimit (Ohër, 18 mars).

Në një intervistë për të përditshmen serbe “Novosti”, diplomati japonez ka theksuar se Japonia monitoron nga afër situatën e tensionuar në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë, ndërsa ka potencuar sërish domosdoshmërinë që të dyja palët të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për zbutjen e tensioneve dhe parandalimin e incidenteve.

Imamura ka theksuar ndër të tjera se është shumë e rëndësishme që të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në mënyrë që Japonia të angazhojë ekspertë për t’i ndihmuar shqiptarët dhe serbët në Kosovë të punojnë së bashku në drejtimin e kanaleve televizive në gjuhën serbe dhe të kontribuojë në pajtimin e të dy palëve.

BE-ja deri më tani nuk ka arritur të gjejë rrugën për t’i bindur palët që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Pikërisht për shkak të një sasie të çështjeve të mbetura pezull, një cikël i ri në procesin e dialogut është zhvilluar të enjten e 16 nëntorit në kryeqendrën politike evropiane, por pa rezultate të prekshme.

Diplomatët evropiano-amerikanë presin që palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që kanë marrë përsipër deri në fund të këtij viti. E terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë ditët në vijim, ndërsa trysnia ndaj palëve pritet të rritet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore