Lajme

Japonia kërkon nga Kosova e Serbia “zbatim të shpejt e me mirëbesim” të Marrëveshjes së Ohrit


Akira Imamura

Ambasadori i Japonisë në Serbi, Akira Imamura, në një intervistë për të përditshmen serbe “Politika”, ka thënë se Japonia mbështet përpjekjet e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa iu ka bërë thirrje të dyja palëve të zbatojnë obligimet nga Marrëveshja e Brukselit/Ohrit.

Diplomati japonez ka theksuar se Japonia monitoron nga afër situatën e tensionuar në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë, ndërsa ka potencuar sërish domosdoshmërinë që të dy palët të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për de-eskalimin e plotë të situatës atje.

“Kemi apeluar fuqishëm tek të dyja palët që të angazhohen sërish në dialogun e lartpërmendur dhe të zbatojnë me shpejtësi e në mirëbesim detyrimet e tyre nga marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve dhe nga aneksi për zbatimin e marrëveshjes”, ka deklaruar Imamura.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri më tani nuk kanë arritur të gjejnë rrugën për t’i bindur palët që ta kuptojnë marrëveshjen si obligim ndërkombëtar. Gjithashtu, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve është ndërprerë për shkak të tensioneve në veri.

Diplomatët evropiano-amerikanë presin që palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që kanë marrë përsipër veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mes të marsit në Ohër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore