Lajme

Japonia do të rihapet për turistët e huaj pas dy viteve e mbyllur


Japonia do t’i japë fund mbylljes dyvjeçare nga pandemia, duke u rihapur kështu për turistët nga 98 vende dhe rajone muajin e ardhshëm. Por, me një kusht: udhëtarët duhet të jenë vetëm si pjesë e grupeve turistike.

Ky vendim vjen pasi qeveria, javën e kaluar, njoftoi se do të testonte lejimin e tureve në grupe të vogla me vizitorë nga SHBA-të, Australia, Tajlanda dhe Singapori.

Të enjten, qeveria rishikoi kontrollet kufitare për të rifilluar pranimin e paketave të udhëtimeve nga 98 vende dhe rajone – përfshirë këtu Britaninë, SHBA-të, Francën, Spanjën, Kanadanë dhe Malajzinë – duke filluar nga 10 qershori.

Japonia do të zgjerojë gjithashtu numrin e aeroporteve që pranojnë fluturime ndërkombëtare në shtatë, duke shtuar Naha në prefekturën e saj jugore të Okinawa dhe New Chitose pranë Sapporo në Hokkaidon Veriore.

Për pjesën më të madhe të pandemisë, Japonia i ka ndaluar turistët të vizitojnë vendin, duke lejuar hyrjen vetëm të qytetarëve dhe banorëve të huaj, megjithëse edhe këta të fundit janë mbyllur periodikisht.

Të gjithë të ardhurit duhet të rezultojnë negativë ndaj COVID-19 përpara se të udhëtojnë në Japoni.

Sakaq, një pjesë duhet të testohen përsëri pas mbërritjes – personat e vaksinuar me tri doza mund ta anashkalojnë testin shtesë – si dhe një karantinë treditore të kërkuar për të tjerët.

Grupet turistike pritet të marrin përgjegjësinë për të siguruar që vizitorët të respektojnë veshjen pothuajse universale të maskave të Japonisë dhe masat e tjera që kanë ndihmuar në mbajtjen e numrit të të infektuarve relativisht të ulët.

Kryeministri Fumio Kishida ka thënë se dëshiron t’i lehtësojë masat e kontrollit kufitar, por lëvizjet pritet të ecin ngadalë, me mbështetje të fortë publike për kufizimet aktuale.

Japonia mirëpriti një rekord prej 31.9 milionë vizitorësh të huaj në vitin 2019 dhe kishte qenë në rrugën e duhur për të arritur objektivin e saj prej 40 milionë në vitin 2020 përpara se të binte pandemia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore