Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, ka paralajmëruar për një efekt domino nëse pushtohet Ukraina nga Rusia, dhe tha se fati i saj është i rëndësishëm jo vetëm për Evropën, por për botën në tërësi.
Ai gjithashtu mendon se tani ka ardhur koha që Evropa të heqë dorë përfundimisht nga varësia e saj energjetike nga Rusia.
“Nëse Ukraina bie, radhën e ka Moldavia, dhe më pas ndoshta Gjeorgjia. Gjëra mund të gatuhen edhe në Ballkanin Perëndimor – kudo ku periferia e BE-së nuk është ende në Bashkimin [Evropian] dhe në NATO”.
“Pastaj vendet baltike pothuajse me siguri do të jenë të radhës, dhe atëherë ne jemi në prag të një konflikti të rëndë që mund të shkaktojë Luftën e Tretë Botërore”, tha ai në një intervistë për Siol, Nova24 dhe Planet TV të botuar të dielën.
“Që Ukraina të mbrohet, është e rëndësishme për Slloveninë, Evropën dhe mbarë botën. Nëse Ukraina këmbëngul, ne mund të llogarisim se nuk do të ketë një përshkallëzim, por negociata”, tha ai.
Jansha tha gjithashtu se që nga “debakli i Afganistanit”, Pekini dhe Moska kanë koordinuar disa lëvizje.
Ai është i bindur se presidenti rus Vladimir Putin nuk do të pushtonte Ukrainën pa një lloj mbështetjeje të heshtur nga Pekini, i cili është përmbajtur nga dënimi i agresionit rus në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
“Unë mendoj se kjo është hera e parë që kur ka qenë anëtare e Këshillit të Sigurimit që ka marrë anën e Rusisë duke dënuar sanksionet kundër Rusisë dhe jo pushtimin. Kjo nuk është një politikë neutrale.”
Në mënyrë të ngjashme, të dy vendet duket se kanë rritur bashkëpunimin ushtarak në dhjetë vitet e fundit, tha ai.
“Zhvillimi i raketave hipersonike, të cilat kanë përmbysur dominimin e Perëndimit dhe Shteteve të Bashkuara, është padyshim një projekt i përbashkët i Rusisë dhe Kinës. Nuk duhet të habitemi nëse Tajvani është objektivi i radhës”.
Tajvani përbën gjysmën e prodhimit global të gjysmëpërçuesve dhe nëse Kina “siguron dominimin e këtij prodhimi, ne kemi disa vite të vështira. Ne ndoshta do të kërkojmë në sirtarët tanë për smartfonë të vjetër, sepse nuk do të ketë të rinj.”
Sa i përket ndikimit të sanksioneve, Jansha tha se varësia e Sllovenisë dhe Evropës nga energjia ruse ishte “një problem strategjik”, por vuri në dukje se duke pushtuar Ukrainën, Putini më në fund e ka shtyrë Evropën të çlirohet nga varësia e saj energjetike nga Rusia.
Pushtimi i Ukrainës ishte “një gabim i madh i Putinit”, konsideron Jansha.
Sllovenia dhe Evropa do të kenë probleme për disa vite duke u larguar nga energjia ruse, por Rusia do të ketë humbur një treg të madh.
Ai tha gjithashtu se vendet e tjera ishin më të ekspozuara ndaj ekonomisë së Rusisë sesa Sllovenia.
“Disa vende janë 100% të varura nga furnizimet me gaz rus, disa nga furnizimet me naftë dhe disa madje edhe nga qymyri rus. Vendimi i Gjermanisë për të ngrirë gazsjellësin Nord Stream 2 është dhjetë herë më i dhimbshëm se ajo që Sllovenia mund të humbasë për shkak të sanksioneve”.
Kështu, tha ai, BE-ja do të paguajë një çmim të lartë “por çmimi për kombin rus do të jetë i tmerrshëm”.
“Është në interes të rusëve që ata të zgjedhin një lider të ri sa më shpejt të jetë e mundur, një që nuk kërcënon të tjerët apo të ardhmen e kombit të tij”, tha mes tjerash kryeministri slloven.