Lajme

Janjiç: “Lojërat” ku humben vite nuk do të tolerohen më nga Perëndimi, ka mbaruar edhe “epoka” e Listës Serbe


Dushan Janjiç

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiç, në një prononcim për rrjetin ballkanik të lajmeve “N1”, tha se me ujdinë në Bruksel dhe Ohër gjërat janë në rrugën e normalizmit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, gjë që çon drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Risia e marrëveshje së re “e cila u çertifikua në Ohër”, sipas Janjiç, konsiston në faktin se normalizimi i marrëdhënieve përcaktohet si “marrëdhënie të ndërsjella të fqinjësisë së mirë”, dhe se “lojërat” ku humben vite në këtë drejtim nuk do të tolerohen më nga Perëndimi.

“Nuk ka më ‘blerje kohe’ në mënyrë që Kosova të jetë alibi për të gjitha çështjet tjera”, tha Janjiç, ndërsa shtoi se megjithatë “u ble kohë” për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës dhe se tash kjo njohje, sipas tij, mund të ndodhë në 10, 15 apo 20 vitet e ardhshme.

Në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ai shprehu bindjen se “nuk do të quhet auotonomi” dhe rikujtoi se kryetarët e komunave në Kosovë “kanë shumë pushtet” prandaj edhe tha se “nuk shoh se si serbët do të hiqnin dorë nga ai pushtet në emër të një koordnimi të quajtur bashkësi komunash”.

“Mbase do të ketë një harmonizim politikash, por mendoj se është më mirë të formohen një Këshill Nacional i serbëve të cilët do të koordinonin të gjitha aktivitetet dhe aktorët, se sa Asociacionin, i cili do të krijohet por nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive”, tha Janjiç.

Duke folur për Listën Serbe – forcën politike të serbëve të Kosovës – ai theksoi se “epoka e saj ka kaluar”, ndërsa shtoi se barrikadat ishin detyra e saj e fundit, “edhe pse atë e bënë profesionistë dhe ekipe të mirëkoordinuara të ndihmuara nga shteti i Serbisë”.

“Koha e Listës Serbe ka kaluar, ata nuk e kanë përmbushur asnjë premtim”, pohoi Janjiç, teksa paralajmëroi se në Kosovë po bëhet një “spastrim serioz” i kuadrove politike nga serbët lokalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore