Kosova

Janjiç: Formacionet e “Mbrojtjes Civile” dhe “Wagner-it” janë në veri


Kryetari i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Serbi, Dushan Janjiç

Kryetari i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Serbi, Dushan Janjiç, thotë se arsyeja kryesore e shqetësimit të tij është se askush nuk po përpiqet të arrijë marrëveshje për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, gjë që sipas tij, “do të zvogëlonte vakumin e sigurisë”.

Janjiç thekson se në Kosovë ka një vakum të sigurisë, sepse shumica e serbëve janë larguar nga policia, ndërsa në veri ka një numër të madh të njësive speciale me policë shqiptarë, “që është rrezik në vete”.

“Ka edhe formacione të organizuara shumë serioze, si “Mbrojtja Civile”, dhe formacione paraushtarake që përfshijnë jo vetëm banorë të veriut, por edhe një pjesë të njerëzve që janë trajnuar nga organizata të veçanta, si “Wagner”, të cilët janë kryesisht të etnitetit serb”, tha Janjiç për Demostat.rs.

Ai potencon se në veri as serbët, as shqiptarët dhe as ndonjë palë e tretë nuk mund të hynin në luftë pa pasoja për vendet fqinje.

“Një nga qasjet është që Ballkani të mbahet ende i paqëndrueshëm dhe të përdoret si një skenë anësore, gjë që nuk e duan vetëm rusët, të cilët po punojnë intensivisht për këtë, por edhe individë nga strukturat politike të Gjermanisë, Italisë, dhe Hungarisë”, pretendon ai.

Albanian Post kishte raportuar me 25 tetor për një dokument shqetësues të inteligjencës së EULEX-it, mbi paraqitjen e një force paramilitare serbe në veri të Kosovës.

Sipas burimeve të AP-së, këto gjetje janë mbështetur edhe nga inteligjenca e KFOR-it dhe janë prezantuar para autoriteteve më të larta diplomatike.

Raporti thotë se kjo forcë paramilitare, që në disa vende figuron nën emërtimin “Brigada e Veriut”, ka rreth 300 anëtarë të armatosur mirë.

Raporti i inteligjencës i cilëson ata si kërcënim akut për sigurinë dhe rendin në Kosovë.

Një pjesë e tyre konsiderohen që nuk janë me origjinë nga Kosova, por janë të ardhur nga Serbia, mbase edhe nga Republika Serbe e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore