Kosova

Janjiç: Banjska mund të jetë temë e zgjedhjeve në SHBA


Dushan Janjiç

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike (FER), Dushan Janjiç, duke folur për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) rreth procesit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se sulmi i paramilitarëve serbë vitin e kaluar në Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në veri të Kosovës, mund të jetë temë e zgjedhjeve amerikane në nëntor të këtij viti.

“Do të punohet seriozisht deri në janar, sepse ka detyrime që janë marrë, që janë shumë të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara (SHBA), dhe mund të jenë edhe temë e zgjedhjeve atje, nëse çështjet në terren, sikurse është Banjska, nuk adresohen në mënyrë adekuate”, ka thënë Janjiçi, derisa ka shtuar se sfidë për SHBA-në do të jetë edhe situata në Bosnje e Hercegovinë.

SHBA-ja ka dënuar ashpër sulmin e dhunshëm dhe të orkestruar ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator 2023 në veri. Gjithashtu, ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James O’Brien, ka thënë në fund të muajit të kaluar se Serbia ka premtuar se përgjegjësi për agresionin e vitit të kaluar në veri të  Kosovës, Millan Radoiçiç, do të vihet para drejtësisë për ngjarjet në Banjskë.

Ndryshe, kryebanditi serb besohet se vazhdon të jetë i lirë në Serbi, pavarësisht thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtar që ai të vihet para drejtësisë për agresionin e kryer në veri të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë. Radoiçiçi është gjithashtu në listën zezë të SHBA-së dhe të të kërkuarëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (Interpol).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore