Lajme

Jam ende gjallë, thotë Papa me shaka pasi doli nga spitali në Romë


I buzëqeshur dhe me sensin e humorit ende në këmbë.

Kështu është shfaqur me daljen e tij nga spitali i Romës Papa Francesco, i cili prej disa ditësh ishte i shtruar aty, lidhur me disa probleme që pati pas diagnostikimit me bronkit.

“Jam ende gjallë”, u tha ai besimtarëve, të cilët e kishin pritur në daljen e spitalit, për të parë nga afër gjendjen e tij shëndetësore.

Papa u pa edhe të dilte nga makina dhe të ecte vetë më këmbë, për të takuar njerëzit e mbledhur për të dhe për t’i siguruar ata se gjendja ishte e stabilizuar përpara se t’i drejtohej më pas Vatikanit.

Vetë administrata e këtij të fundit, kishte bërë me dije se Francesco do të lejohej të linte ambientet spitalore të shtunën dhe do të rikthehej në rezidencës e tij, ku do të merrte kujdes të posaçëm.

Rëndimi i gjendjes shëndetësore të 86-vjeçarit Bergoglio, i cili prej një dekade tashmë e drejton Papatin katolik, erdhi në një prej javëve më të ngarkuara në kalendarin fetar, pasi përkon me përgatitjet e javës së Pashkëve.

Po ashtu, në fillim të marsit, ai shfaqi të tjera probleme të lidhura me mushkërinë, pjesërisht edhe për faktin se një pjesë të tyre i ka hequr në moshën e re 21-vjeçari, për shkak të një sëmundjeje.

Mbi drejtimin e Kishës dhe qëndrimin e tij apo jo në krye të detyrës, ende nuk ka një përgjigje konkrete, pasi siç është theksuar nga administrata e Vatikanit, është një vendim që i takon vetë Francescos ta marrë.

Gjithashtu, mjekët do ta konsultojnë nëse ai ia arrin t’i kryejë shërbesat dhe detyrat e parapërcaktuara nga Papati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore