Lajme

Jahtet e rusëve të sanksionuar “jashtë radarëve”


Jahte elitare të lidhura me oligarkët e sanksionuar rusë kanë filluar të zhbllokojnë sistemet e tyre të vendndodhjes për të shmangur konfiskimin.

Lajmi është raportuar nga britanikja “The Guardian”, duke cituar një hetim të “The Observer”.

Në Karaibe jahti Alfa Nero, i cili besohet të jetë i lidhur me miliarderin rus Andrei Guryev, nuk shfaqet në sistemet e gjurmimit që nga 3 marsi.

Një hetim i Observer zbulon se është një nga të paktën gjashtë jahtet e lidhur me oligarkët rusë nën sanksionet britanike, të cilët kanë fshehur vendndodhjen e tyre.

Analiza e Observer nga të dhënat e AIS tregoi se ai u zhduk prej sistemit për më shumë se një muaj.

Jahti 72 metra Clio, i cili lidhet me miliarderin Oleg Deripaska kaloi vendndodhjen për herë të fundit më 18 prill nga Deti i Zi, afër Sochi-t dhe Novorossiysk-ut.

70-metroshja Galactica Super Nova e lidhur me oligarkun Vagit Alekperov, transmetoi të dhëna për herën e fundit më 2 mars në brigjet e Kroacisë.

Ocean Victory, jahti 140 metra i lidhur me oligarkun Viktor Rashnikov, nuk u shfaq në sistem që pas 1 marsit, kur u ankorua në Maldive.

Gazetarët investigativë arritën të binin në kontakt me një nga anëtarët e ekuipazhit të jahtit, i cili i përket oligarkut të sanksionuar.

Ai tha se ata ishin udhëzuar për të fshehur vendndodhjen e tyre.

Që kur vendet perëndimore filluan të vendosin sanksione ndaj oligarkëve të afërt me Putin-in, janë konfiskuar gjithsej të paktën 13 jahte luksoze me një vlerë totale prej rreth 2 miliardë paundësh.

Ndër këta të fundit, jahti Luna, në pronësi të oligarkut rus Farhad Ahmedov, u ndalua në Gjermani, me një kosto të vlerësuar prej 452 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore