Shëndet

Ja pse nuk rekomandohet uji për bebet


Nëse keni pasur një fëmijë në shtëpi, ka shumë mundësi që ju tashmë e dini që nuk duhet t’i jepni ujë para se të mbushin gjashtë muaj.

Në fakt, duhet të shmangni dhënien e pothuajse çdo gjëje përveç qumështit të gjirit ose formulës deri në atë moshë. Kjo është njohuri e zakonshme, por arsyen e saktë prapa këtij rekomandimi nuk e dinë të gjithë.

Kur fëmija lind, stomaku i tij ka një madhësi rreth 13 milimetra dhe mund të marrë vetëm një deri në dy lugë të vogla lëng. Për shkak se stomaku i foshnjës është shumë i vogël, ju duhet ta ushqeni atë shpesh gjatë javëve dhe muajve të parë.

Qumështi i gjirit dhe ai i formulës i japin foshnjës të gjithë përbërësit ushqyes cilësorë të nevojshëm për t’u rritur dhe zhvilluar, ndërsa uji nuk i’u siguron asgjë.

Uji mund të mbushë stomakun e tyre, duke e bërë të vështirë për ta që të marrin ushqimin që u nevojitet. Uji nuk rekomandohet për foshnjat nën gjashtë muaj sepse edhe sasi të vogla do të mbushin stomakun e tyre dhe mund të ndërhyjnë në aftësinë e trupit për të thithur lëndët ushqyese të qumështit.

Vendosja e tepruar e ujit në formulën e foshnjës gjithashtu mund të shkaktojë dëme shëndetësore. E rëndësishme është të dini se “hollimi” i formulës me ujë shtesë (më shumë se sasia e rekomanduar) mund të çojë në një gjendje të quajtur “dehje nga uji”, e cila mund të jetë mjaft e rrezikshme për foshnjat.

Deri në moshën gjashtë muajshe, veshkat e një foshnje janë shumë të papjekura për të filtruar ujin e thjeshtë, duke e lënë foshnjën të ndjeshme ndaj dehjes së ujit.

Mund të duket e çuditshme që uji mund të jetë helmues, por në fakt helmimi ndodh kur pihet shumë ujë, në një periudhë të shkurtër kohore. Uji i tepërt hyn në qarkullimin e gjakut duke holluar përqendrimin e natriumit, gjë e cila mund të çojë në një nivel shumë të ulët të kripës në gjak dhe kjo mund të shkaktojë vdekje.

E vetmja mënyrë e sigurt kur bëhet fjalë për foshnjën dhe ujin, është të mos i jepni fare ujë.

Pasi fëmijët të mbushin gjashtë muaj, ju mund të filloni t’i ofroni një sasi të vogël uji pa u shqetësuar aq shumë për dehjen e ujit ose çështje të tjera.

Nga gjashtë deri në 12 muaj, uji është praktikë, thjesht disa gllënjka të vogla, pasi foshnjat po mësohen me diçka tjetër përveç qumështit, qëllimi është që fëmija të njoftohet me ujë të pijshëm.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore