Lajme

Izraeli tërheq të dërguarin pasi Polonia miraton ligjin mbi pronat e konfiskuara pas Luftës së Dytë Botërore


Presidenti i Polonisë ka miratuar një ligj që do të kufizojë ashpër pretendimet mbi pronat e konfiskuara pas Luftës së Dytë Botërore, duke bërë që Izraeli të tërheqë të dërguarin e tij në Poloni dhe ta quajë ligjin “antisemitik”.

Kështu ka raportuar portali libanez, “Naharnet”, duke sqaruar se ligji përcakton një kufi 30-vjeçar në sfidat ligjore të konfiskimit të pronave, shumë prej të cilave lidhen me komunitetin hebre dikur të lulëzuar të Polonisë.

Pritet që ky ligj të bllokojë në mënyrë efektive mijëra kërkesa pasi konfiskimet ndodhën kryesisht gjatë epokës komuniste pas luftës.

Andrzej Duda, presidenti, i ka thënë agjencisë polake të lajmeve, “PAP”, se shpreson që rregulli i ri t’i japë fund një “epoke të kaosit ligjor” dhe “mafieve të riprivatizimit”.

Edhe pse qeveria thekson se do të forcojë sigurinë ligjore në tregun e pronës, kundërshtarët janë të mendimit se është e padrejtë ndaj njerëzve me pretendime legjitime, përfshirë të mbijetuarit e Holokaustit dhe familjet e tyre.

“Polonia miratoi…një ligj imoral, antisemitik”, është shprehur ministri i jashtëm izraelit, Yair Lapid.

Ai ka vijuar se “këtë mbrëmje unë udhëzova të ngarkuarin me punë në ambasadën tonë në Varshavë që të kthehej menjëherë në Izrael për konsultime, për një periudhë të pacaktuar kohe”.

Lapid ka shtuar se “ambasadori i ri izraelit në Poloni, i cili ishte planifikuar të nisej për në Varshavë, do të qëndrojë për momentin në Izrael”.

Edhe Naftali Bennett, kryeministri izraelit, e ka kritikuar ligjin si “të turpshëm” dhe ka thënë se ai tregonte “përbuzje të turpshme për kujtesën e Holokaustit”.

“Kjo është një masë e rëndë ndaj së cilës Izraeli nuk mund të mbetet indiferent”, është shprehur ai në një deklaratë.

Ndërkohë, Lapid ka treguar se Ministria e Jashtme do të rekomandojë që i dërguari polak në Izrael, aktualisht me pushime, “të vazhdojë pushimet e tij në vendin e tij”.

“Ai duhet të përdorë kohën që ka për t’u shpjeguar polakëve kuptimin e Holokaustit për izraelitët”, ka shtuar Lapid.

Përmes një deklarate, Ministria e Jashtme e Polonisë, ka dhënë një përgjigje duke thënë se masa e Izraelit ishte “e pabazuar”.

“Hapat e ndërmarrë nga Izraeli po dëmtojnë seriozisht marrëdhënien tonë”, ka vazhduar, duke paralajmëruar se do të ndërmerrte “veprime të përshtatshme politike dhe diplomatike”.

‘Nuk do të paguajë për krimet e Gjermanisë’

Këtë javë, pasi parlamenti miratoi ligjin, Lapid dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i kishin kërkuar Duda-s të mos e nënshkruante atë.

Blinken-i ka thënë se ishte “thellësisht i shqetësuar” dhe i ka kërkuar Polonisë që në vend të saj të miratojë një ligj gjithëpërfshirës për të mbuluar kërkesat e tilla të pronësisë, diçka që e kanë bërë vendet e tjera në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Mirëpo, Mateusz Morawiecki, kryeministri polak, ka deklaruar se Polonia “nuk do të paguajë për krimet e Gjermanisë as një zloty, euro apo dollar”.

“Naharnet” shkruan se gjatë Luftës së Dytë Botërore në Poloni, gjashtë milionë polakë, gjysma e tyre hebrenj, u vranë.

Pas luftës, autoritetet komuniste shtetëzuan një numër të madh të pronave që kishin mbetur bosh sepse pronarët e tyre ishin vrarë ose kishin ikur.

Teksa ligji mbulon paditësit hebrenj dhe jo-hebrenj, aktivistët janë të mendimit se pronarët hebrenj do të preken në mënyrë disproporcionale sepse ata shpesh ishin vonë në paraqitjen e kërkesave pas luftës.

“Polonia, natyrisht, nuk është përgjegjëse për atë që bëri Gjermania naziste gjatë Holokaustit. Megjithatë…Polonia ende përfiton nga kjo pronë e fituar gabimisht”, ka pohuar Organizata Botërore e Kthimit Hebraik (WJRO) në një deklaratë.

“Kthimi i pronës ka të bëjë me më shumë se para. Për shumë prej të mbijetuarve të Holokaustit dhe familjeve të tyre, një shtëpi është lidhja e fundit fizike e mbetur me jetën që kanë bërë dikur”, ka thënë grupi i avokatisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore