Lajme

Izraeli pranon shkatërrimin e disa tuneleve të Hamasit


Qeveria izraelite konfirmon për herë të parë se ka shkatërruar disa tunele të Hamasit, duke bërë publike lajmet e përhapura tashmë nga shtypi javë më parë.

Një pranim që rrëfen vështirësitë e hasura deri më tani nga ushtria izraelite në përpjekjen për të “çrrënjosur Hamasin” nga Gaza, pavarësisht 110 ditëve të luftës.

Midis 20% dhe 40% e tuneleve në Rripin e Gazës janë shkatërruar deri më tani.

Çka nënkupton se midis 60 dhe 80% e rrjetit nëntokësor që mbron grupin palestinez mund të jetë ende i paprekur dhe funksional.

Operacioni që duhej të shkatërronte tunelet me ujë deti, me sa duket nuk pati efektet që kishin shpresuar komandantët.

Ka të ngjarë që thellë poshtë të ketë pengesa të papërshkueshme nga uji të aftë për të izoluar një tunel të vetëm nga të gjithë të tjerët, pikërisht për të shmangur këtë lloj sulmi.

Hamasi e mbështet të gjithë strategjinë e tij të luftës në këtë aftësi për të rezistuar deri në fund.

Llogaritja e tij është se sa më gjatë të zvarriten gjërat, aq më shumë do të jenë në vështirësi armiqtë dhe do të jetë në gjendje të negociojë nga një pozicion i fortë.

Sot një delegacion i Hamasit do të jetë në Kajro për vazhdimin e negociatave të Parisit: do të thotë se ka një marrëveshje parimore me Izraelin, konsiderohet e besueshme dhe dëshirohet nga të dyja palët.

Marrëveshja në fjalë përfshin një pauzë të gjatë në bombardimet dhe luftimet tokësore, të cilat do të zgjasin nga një muaj e gjysmë deri në dy muaj, lirimin e të gjithë 136 pengjeve izraelitë në tri faza dhe në këmbim lirimin e të burgosurve palestinezë.

Ashtu si gjatë armëpushimit njëjavor në fund të nëntorit.

Por tani duhet të vendosim numrat dhe kjo është pjesa e mprehtë.

Për grupin e parë – pra gra, pleq dhe fëmijë – flasim për njëqind të dyqind e pesëdhjetë të burgosurish palestinezë në këmbim të secilit peng të vetëm, të zgjedhur gjithashtu nga ata që kanë kryer akte terrorizmi.

Dhe duke marrë parasysh se grupi i parë mund të numërojë nga tridhjetë deri në dyzet izraelitë, kjo do të thotë se numri i palestinezëve që do të lirohen mund të arrijë deri në gjashtë mijë, që është numri i të burgosurve palestinezë që aktualisht ndodhen në burgjet izraelite.

Do të ishte “të gjithë për të gjithë” që kreu i Hamasit në Gaza, Yahia Sinwar, ka pritur që kur u lirua vetë në vitin 2011 në këmbim të ushtarit Shalit.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha dje se nuk do të pranojë lirimin e “mijëra të burgosurve”, por duhet të merret me premtimin publik që u bëri familjeve të pengjeve: t’i kthejë në shtëpi…është prioriteti im.

Xhihadi Islamik, i cili është grupi i dytë më i madh në Gaza pas Hamasit po thotë se nuk do të marrë pjesë në asnjë marrëveshje nëse trupat izraelite nuk largohen fillimisht nga Rripi i Gazës.

Por fokusi është te elementët e ekstremit të djathtë të vendosur fort brenda qeverisë, të cilët po protestojnë me forcë kundër negociatave.

Lideri i Partisë Fetare Sioniste, ministri Bezalel Smotrich, thotë se ai kurrë nuk do të miratojë një marrëveshje që parashikon ndalimin e luftimeve dhe “çlirimin masiv të terroristëve, sepse do të ishte si të humbasësh të gjitha rezultatet e arritura deri më tani kundër Hamasit me gjakun e ushtarëve tanë dhe sepse do të kthente çdo hebre në Izrael në një objektiv rrëmbimi”.

Në të njëjtën linjë është edhe ministri Itamar Ben Gvir, kreu i partisë Fuqia Hebraike, sepse pas një armëpushimi kaq të gjatë do të ishte shumë e vështirë të rifilloheshin luftimet.

Të dy nuk kanë shpjeguar se çfarë do të bëjnë në rast marrëveshjeje dhe për rrjedhojë nëse do të rrëzojnë qeverinë apo jo.

Por të dielën të dy morën pjesë në një konferencë, tema e së cilës ishte “kthimi në ndërtimin e vendbanimeve brenda Rripit të Gazës”.

Dhe duket sikur ata po jetonin në një realitet alternativ, sepse deklaratat e pasluftës të qeverisë tregojnë në drejtimin e një Tranzicioni të Gazës te dikush, jo teushtria izraelite, që do të duhet ta menaxhojë dhe kontrollojë atë.

Elementi tjetër i madh i pasigurisë në këto orë është përgjigja e administratës se presidentit amerikan Joe Biden ndaj vrasjes, të dielën në Jordani, të tre ushtarëve amerikanë me një dron të nisur nga milicitë pro-iraniane në Irak.

Sulmet ajrore amerikane pritet të godasin objektiva të lidhura me Iranin, i konsideruar si sponsori kryesor i këtyre operacioneve.

Ndërkohë, milicitë irakiane Kataib Hezbollah njoftuan dje se nuk do të kryejnë më sulme kundër trupave amerikane për të shmangur “turpin” për qeverinë irakiane.

Por Pentagoni e mirëpriti njoftimin me shumë kujdes.

Gjenerali izraelit Eyal Zamir sapo është kthyer nga Washingtoni, i cili është përgjegjës për të kërkuar armët që do të përdoren për luftën e mundshme kundër Hezbollahut libanez – si bomba dhe raketa.

Ai u kthye me një përgjigje të sjellshme, por të paqartë nga amerikanët, të cilët duan ta studiojnë më mirë këtë çështje: tingëllon si efekti i parë i ftohtësisë mes Bidenit dhe Netanyahut.

Në Shtëpinë e Bardhë mendojnë se kryeministri izraelit dëgjon shumë ministrat e tij të djathtë dhe shumë pak presidentin amerikan.

Marrë nga “La Repubblica”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore