Lajme

Izraeli godet 400 raketahedhës të Hezbollahut, pasi zbuloi planin e sulmit masiv


Ushtria izraelite thotë se ka goditur rreth 400 raketahedhës të Hezbollahut, të cilat përfshinin mijëra vende lëshimi, pasi Inteligjenca izraelite ka arritur të zbulojë para kohe një sulm të mundshëm masiv të grupimit militant.

Izraeli tha se po “godet gjerësisht” Libanin jugor, pasi zbuloi planet për një sulm me raketa të Hezbollahut në territorin e tij.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Daniel Hagari, tha se dhjetëra avionë luftarakë izraelitë po godasin raketat, që sipas Ushtrisë do të përdoreshin në sulm.

“Në përgjithësi, sot kemi goditur afërsisht 400 raketa lëshimi të Hezbollahut”, tha Hagari gjatë një konference shtypi të shtunën në mbrëmje me orën lokale, duke shtuar se Izraeli “po godet metodologjikisht, duke hequr gjithnjë e më shumë nga aftësitë lëshuese të Hezbollahut (dhe) duke eliminuar komandantët dhe terroristët.

Hagari tha se IDF-ja goditi lagjen Dahiyeh të Bejrutit të premten, duke vrarë komandantin e lartë të Hezbollahut, Ibrahim Aqil dhe 15 komandantë të tjerë që po komplotonin për të goditur Izraelin.

Kush ishte Ibrahim Aqil – komandant i njësive elitare të Hezbollahut – i vrarë nga një sulm izraelit

“Ata u takuan për të planifikuar sulme terroriste dhe infiltrim në territorin e Izraelit. Por ne e dinim se ku ishin dhe i dolëm përpara me një operacion të saktë dhe të fuqishëm”, shtoi Hagari.

Më herët ndërkaq, u bë me dije se numri i të vdekurve nga një sulm ajror izraelit në periferitë jugore të Bejrutit është rritur në 31 persona, duke përfshirë tre fëmijë dhe shtatë gra.

Sulmi, i cili shkatërroi dy ndërtesa në distriktin jugor Dahiya të kryeqytetit libanez gjatë orës së pikut të premten, plagosi gjithashtu 68 vetë.

Kështu të paktën konfirmoi në një konferencë shtypi të shtunën ministri libanez i Shëndetësisë, Firass Abiad.

Tre fëmijët e vrarë ishin të moshës katër, gjashtë dhe 10 vjeç, sipas Abiad, i cili gjithashtu tha se dy persona ishin në gjendje kritike.

Ministri i Punëve Publike dhe Transportit Ali Hamieh tha se bombardimi i një ndërtese banimi përbën një “krim lufte” dhe se Izraeli “po e tërheq rajonin në një luftë”.

Ai shtoi se 23 persona janë ende të zhdukur nën rrënoja.

Ushtria izraelite tha se kreu një “sulm në shënjestër” kundër anëtarëve të lartë të forcave elitare të Hezbollahut Radwan në periferi të Bejrutit.

Hezbollah konfirmoi se dy nga komandantët e tij të lartë, Ibrahim Aqil dhe Ahmad Mahmoud Wahabi, së bashku me 12 anëtarë të tjerë, u vranë në sulm.

Në korrik, një sulm ajror izraelit vrau Fuad Shukr, komandantin më të lartë ushtarak të grupit.

Ministri i Brendshëm, Bassam Mawlawi, tha se Libani kishte hyrë në një fazë “vendimtare” pas sulmit në periferi të banimit, duke theksuar në një konferencë shtypi të shtunën se duhet bërë gjithçka për të parandaluar shkeljet e mëtejshme të territorit libanez dhe për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës së sigurisë.

Sulmi ajror në zonën me popullsi të dendur pasoi shpërthimet e mijëra pager-ave dhe radiove në Liban të martën dhe të mërkurën, për të cilat u fajësua gjithashtu Izraeli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore