Lajme

Izrael/ Pasagjerët marrin imazhe të avionit të rrëzuar në telefona, fluturimi ndalet


Një avion Boeing 737 me 160 persona në bord ndaloi pak para nisjes në aeroportin Ben Gurion në Tel Aviv, Izrael.

E gjitha pasi disa pasagjerë morën të paktën tre imazhe të përplasjeve të avionit dhe aksidenteve të lidhura me fluturimin në celularët e tyre.

Lajmi u konfirmua nga Autoriteti i Aeroporteve të Izraelit, i cili shpjegoi se si nëntë persona dërguan imazhet, të ndaluara më vonë nga policia.

Fluturimi TK7709 i AnadoluJet operohej në emër të Turkish Airlines. Ai u nis me rreth katër orë vonesë për në Stamboll.

Sakaq, arsyeja nuk është ende e qartë.

Autorët kanë shfrytëzuar AirDrop, mjetin e disponueshëm nësistemin operativ iOS në iPhone dhe iPad, i cili lejon përdoruesit me pajisjet Apple të ndajnë foto, video dhe dokumente me sekonda, duke i vendosur pajisjet afër njëra-tjetrës.

Sipas disa pasagjerëve, kur Boeing u nis, papritmas njoftimet për marrjen e fotove u shfaqën në telefonat inteligjentë të tyre.

Njëra përfshinte përplasjen e një avioni turk në Holandë në vitin 2009, tjetra një përplasje që ka ndodhur në San Francisko në vitin 2013 dhe një tjetër një individ që ecte midis motorit dhe krahut të një avioni.

Në atë moment, ata u shqetësuan.

“Një grua humbi ndjenjat, kurse një tjetër pati atak paniku”, ka treguar  një nga udhëtaret.

Çka bëri që piloti, pas një shkëmbimi të shkurtër me kullën e kontrollit, të kthehej menjëherë, duke raportuar ndodhinë te shërbimet izraelite të sigurisë.

Kështu, të gjithë zbritën për një kontroll tjetër bashkë me bagazhet.

Autoriteti i aeroportit izraelit nuk sqaroi se sa njerëz i morën imazhet.

Pas një marrje të shpejtë në pyetje, policia ndaloi nëntë pasagjerë, të gjithë të rinj, me kombësi izraelite dhe të ardhur nga një fshat i vogël në veri të shtetit hebre.

Ata përballen me tre vjet burg nëse dënohen për shpërndarje të informacionit të rremë.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore