Lajme

Izet Sadiku: Pacienti me variantin afrikan të virusit, në gjendje stabile


Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive në Kosovë, Izet Sadiku, ka treguar se pacienti i infektuar me variantin afrikan është pranuar në Klinikën infektive në Prishtinë katër ditë më parë.

Ai në një konferencë për media ka theksuar se gjendja e pacientit është stabile, dhe se po vazhdon të marrë trajtim mjekësor në klinikë.

Sipas tij, pacienti është në oksigjeno-terapi.

“E kemi pranuar një pacient në klinikën infektive në datën katër qershor, me një gjendje mesatarisht të rëndë të COVID-19. Është hospitalizuar në klinikën infektive ku po vazhdon të trajtohet në këtë klinikë. Në analizat e bëra, pacienti ka rezultuar pozitiv në testin për Sars-Cov-2, dhe me shtatë qershor Instituti ka konfirmuar që është me tipin afrikan të virusit”, është shprehur Sadiku.

Po ashtu, Sadiku ka sqaruar se pacienti i infektuar “nuk ka pasur ndonjë kontakt të veçantë të cilin mund ta identifikojë”.

Sipas infektologut Sadiku, përhapja e virusit të tipit afrikan është më e shpejtë se sa tipi i zakonshëm.

“Ne nuk kemi konfirmime të rastit indian, ndërsa tipi më dominues është ai britanik, në muajin mars-prill, dhe kemi vërejtur një përhapje më të madhe në familje gjë që tregon se përhapet më shpejtë”, shtoi ai.

Ky variant i ri i Coronavirusit nuk kërkon të ndërmerren masa të veçanta nga ato paraprake.

“Duhet të ndërmerren masat e zakonshme për të gjitha tipat e virusit, nuk ka ndonjë masë më adekuate për këtë tip”.

Ndërkaq, Sadiku ka theksuar se rënia e numrit të të infektuarve ka reflektuar në zvogëlimin e të hospitalizuar

“Rënia e numrit të rasteve me COVID-19, ka ndikuar që të zvogëlohet edhe numri i të hospitalizuar. Tani kemi rreth 20 pacientë, që është numri më i vogël, numër ky që prej majit apo qershorit të kaluar nuk ka qenë numri më i vogël se tani”, përfundoi ai.

Ndërkohë, disa orë më parë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka njoftuar se është konfirmuar një rast me variantin afrikan të Coronavirusit.

“Pacienti është i hospitalizuar dhe është  duke u trajtuar në Klinikën Infektive. Rastet e tilla të virusit mutagjen janë regjistruar tashmë në shumë vende të botës”, thuhet në njoftimin e IKSHPKS-së.

IKSHPK ka përsëritur thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19 dhe zbatimin e masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ndërsa, në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë, është duke vijuar vaksinimi kundër COVID-19.

Në këtë qendër vetëm gjatë të martës së tetë tetorit, janë vaksinuar mbi 350 persona. Në përgjithësi janë vaksinuar 85 mijë e 300 persona.

Kështu ka treguar Koordinatori i kësaj qendre të vaksinimit, Niman Bardhi, në një konferencë për media.

“Aktualisht gjatë ditës së sotme janë vaksinuar mbi 350 qytetarë dhe bëhet fjalë për vaksinimin me dozën e parë dhe njëkohësisht edhe me dozën e dytë, nga të dy llojet e vaksinave, ajo Pfizer dhe AstraZeneca. Nëse flasim në nivel vendi, deri më tani janë një mijë e 550 të vaksinuar ndërsa nëse  referohemi shifrës totale që nga dita e parë e procesit të vaksinimit e deri më tani janë mbi 85 mijë e 300 të vaksinuar”, ka thënë Bardhi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore