Tregjet

Italia në kërkim të punëtorëve të huaj, punëdhënësit paraqesin mbi 600 mijë aplikime


Në Itali, kërkesa për punëtorë të huaj është rritur ndjeshëm.

Referuar autoriteteve të atjeshme, numri i para-aplikimeve të dorëzuara nga punëdhënësit italianë për vitin 2024 e ka kaluar kuotën e përcaktuar katërfish.

Qeveria italiane – duke theksuar mungesën e vazhdueshme të fuqisë punëtore në sektorë të ndryshëm në vend – vendosi kuotën për punëtorët nga vendet jo të Bashkimit Evropian në 136 mijë për vitin e ardhshëm.

Një kuotë kjo, që është më e lartë se ajo e vendosur për këtë vit.

Përkundër rritjes së kuotave për punëtorët jashtë BE-së, numri i lartë i aplikimeve që tashmë janë paraqitur sugjeron se vendi ka nevojë për shumë më tepër punëtorë të huaj.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Italisë, punëdhënësit e vendit kanë paraqitur tashmë rreth 608 mijë para-aplikime.

Një numër kaq i lartë aplikimesh, që është katër herë më shumë se kuota e qeverisë, është bërë përpara shortit vjetor të vizave të punës të Italisë që do të hapet zyrtarisht më 2 dhjetor.

Nga numri i përgjithshëm i para-aplikimeve për vitin 2024, rreth 260 mijë e 950 prej tyre ishin për punë sezonale në turizëm dhe bujqësi.

Kurse 253 mijë e 470 të tjera para-aplikime ishin për punë jo-sezonale në ndërtim dhe sektorë të ngjashëm, dhe rreth 86 mijë e 70 ishin për punëtorët shtëpiak dhe për kujdestarët në shëndetësi, ndër të tjera.

Ndarja e kuotës do të ndjekë një qasje të parë, pasi të jetë hapur dritarja e paraqitjes elektronike.

Sakaq, ditë të ndryshme do të caktohen për lloje të ndryshme vizash, megjithëse sektorë të caktuar kanë rezervuar në mënyrë specifike kuota.

Presidentja e shoqatës kombëtare të ndërtuesve, Angelica Donati, ka thënë se më shumë njerëz duhet të lejohen të zënë punë në Itali.

Po ashtu ka shtuar se autoritetet duhet të marrin masa shtesë dhe të lejojnë kompanitë italiane të sjellin më shumë punëtorë.

“Ne kemi nevojë për më shumë njerëz për punë. Duhet bërë më shumë për t’u siguruar që kompanitë të jenë në gjendje të marrin punëtorë të huaj”, ka thënë Donati.

Drejtori i politikave evropiane në Coldiretti, Luigi Pio Scordamaglia, ka thënë se të gjithë sektorët në Itali, pa përjashtim, po përballen me mungesë punëtorësh.

Ai ka shtuar se ata mbështesin rritjen e punëtorëve emigrantë të ligjshëm, pasi duke marrë më shumë punëtorë të huaj, bizneset mund të provojnë se mund të menaxhojnë migrimin në shkallë më të gjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore