Shqipëria

Italia merr drejtimin e njësisë së re luftarake në Bullgari, pjesëmarrëse edhe trupa nga Shqipëria


Italia do të marrë drejtimin e një njësie të re luftarake të NATO-s që po ngrihet në Bullgari.

Kjo për të forcuar mbrojtjen e aleancës në krahun e saj lindor në mes të luftës në Ukrainë.

Lajmi u bë i ditur nga Qeveria bullgare.

Në njësinë e re do të jenë pjesëmarrës 40 trupa nga Shqipëria.

Italia mund të vendosë deri në 800 trupa dhe pajisje ushtarake në vendin e Detit të Zi, ndërsa Sofja, e cila fillimisht u përpoq të drejtonte njësinë, do të kufizojë numrin e trupave bullgare në 140.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë rënë dakord tashmë që t’i japin grupit të betejës bullgare secila nga një kompani.

Një kompani zakonisht numëron midis 150 dhe 200 ushtarë.

NATO, e cila tashmë ka forcuar krahun e saj lindor me 40 mijë trupa të shpërndara nga Baltiku në Detin e Zi, ra dakord në mars për të ngritur njësi të reja luftarake në Bullgari, Rumani, Hungari dhe Sllovaki.

Një komponent i rëndësishëm i qëndrimit parandalues dhe mbrojtës të NATO-s është prania ushtarake në pjesët lindore të territorit të Aleancës.

Në vitet e fundit, aleatët kanë rritur praninë e NATO-s në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni duke zhvilluar një prani të përshtatur përpara në rajonin e Detit të Zi.

Grupe të tjera beteje shumëkombëshe janë ngritur në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki.

Këto veprime demonstrojnë solidaritetin, vendosmërinë dhe aftësinë e aleatëve për të mbrojtur territorin dhe popullsinë e Aleancës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore