Lajme

Italia dhe Arabia Saudite nënshkruajnë marrëveshjen për të rritur investimet


Italia dhe Arabia Saudite nënshkruan të hënën e 4 shtatorit një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) për të nxitur marrëdhëniet ekonomike dhe investimet që konsiderohen me rëndësi strategjike, tha ministria italiane e industrisë.

Që nga marrja e detyrës tetorin e kaluar, kryeministrja Giorgia Meloni është përpjekur të krijojë lidhje më të ngushta me vendet e Gjirit, duke hequr dorë nga shqetësimet e koalicioneve të mëparshme mbi të drejtat e njeriut në rajon.

Ajo tashmë ka hequr embargon për shitjen e armëve në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Memorandumi, i parë nga agjencia e lajmeve “Reuters”, zgjat dy vjet dhe do të rinovohet automatikisht për 24 muaj të tjerë, përveç nëse njëra nga palët njofton tjetrën për qëllimin e saj për të refuzuar rinovimin gjashtë muaj përpara datës së skadimit.

“Dialogu mund të ndihmojë kompanitë të zhvillojnë një partneritet teknologjik dhe industrial”, u tha gazetarëve Ministri i Industrisë Adolfo Urso në Forumin e Investimeve midis Italisë dhe Arabisë Saudite në Milano.

Midis disa nismave që po diskutohen, Italia po kërkon fonde sovrane të pasurisë nga Gjiri për të investuar në një skemë të re për të siguruar burime për firmat që operojnë në sektorë me rëndësi strategjike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore