Kosova

Ismaili: U diskuan çështje teknike, rregullorja e BQK-së s’do të ndryshojë


Ahmet Ismaili

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, pas përfundimit të takimeve në Bruksel për çështjen e ndalimit të valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës, ka thënë se gjatë takimit janë diskutuar modalitetet teknike se si mundet të vazhdojë financimi nga Serbia, përmes kanaleve ligjore dhe transparente në llogari bankare të përfituesve në euro, bazuar në propozim e BQK-së dërguar te Banka Popullore e Serbisë, dhe asgjë tjetër.

“Nuk ka asgjë tjetër dhe as nuk kemi pranuar diskutime tjera”, ka thënë Ismajli, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ai ka potencuar se rregullorja e BQK-së është në fuqi dhe e njëjta nuk do të ndryshojë.

“Zbatimi i saj nuk vihet në diskutim. Mundësi ligjore ka për transfer legal. Nëse gjithmonë Serbia ka gatishmëri t’i shfrytëzojë ato”, është shprehur ai.

Ismaili ka thënë se BQK-ja nuk ka negociuar dhe nuk ka qenë e përfshirë në proces të negocimit.

Sipas tij, ata vetëm kanë informuar gjerësisht për Rregulloren dhe ndikimin e saj pozitiv për ekonominë e vendit.

“Me udhëzimin e BE-së ne u takuam edhe me delegacionin teknik nga Serbia. Nuk ka pasur prezencë politike në takim. Ne kemi dhënë kontributin tonë që të kuptohet drejtë nga Bashkimi Evropian. Po ashtu edhe zgjidhjet teknike janë të mundshme dhe të zbatueshme pa asnjë ndryshim të asnjë rregullative ligjore. Në këtë mënyrë ekziston mundësia që qytetarët serbë të pranojnë ndihmën nga Serbia nëse ajo vendos t’i transferojë ato”, ka thënë ai.

Më tej Ismaili ka deklaruar se çështja e dinarit nuk ka qenë çështje e diskutimit, por është diskutuar Rregullorja në tërësi.

Guvernatori ka thënë se BQK-ja nuk negocion me asnjë palë të jashtme as të brendshme rregullimin e saj monetar dhe financiar.

Sipas tij, nuk është pritur të negociohet, por të argumentohet zgjidhja.

“Zgjidhja ekziston dhe funksionon, përmes zgjidhjes teknike që nënkupton transferimin mes dy shteteve, pra transferimin e mjeteve nga Serbia në Kosovë përmes kanaleve zyrtare. Edhe ky takim më shumë është bërë për shkak të nevojës për t’u sqaruar sesa ka pasur nevojë të ndodhë

Në anën tjetër, Petar Petkoviç, shef i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, njëherësh kryenegociator i palës serbe në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, pas takimeve të së martës, institoi që diskutimet për këtë çështje të bëhen në nivel politik, derisa akuzoi palën kosovare për dëbim të serbëve nga Kosova.

Në një prononcim për gazetarë pas takimeve që u zhvilluan të martën e 27 shkurtit nën ndërmjetësimin e Emisarit Special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, kryenegociatori serb e cilësoi ndalimin e dinarit për transaksione me para të gatshme “vendim politik” të Kosovës, qëllimi i së cilës është “dëbimi i serbëve” nga territori kosovar.

Petkoviç deklaroi se qëllimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në këtë drejtim është “shuarja e institucioneve serbe” që, sipas pretendimeve të zyrtarit serb, duhet të jenë “themel” për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Ai paralajmëroi gjithashtu se diskutimet për çështjen e dinarit do të vazhdojnë në të ardhmen, por jo në nivel teknik.

Një cikël i ri i negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u zhvillua këtë të martë në Bruksel nën kujdesin e BE-së. Takimi midis ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Lajçakut erdhi pas takimeve që diplomati sllovak zhvilloi veç-e-veç mbi ndalimin e dinarit serb në Kosovë.

Ky takim u fokusua në rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet dinari serb në territorin kosovar. Para takimit trilateral, emisari evropian takoi delegacionin serb, i cili udhëhiqet nga kryenegociatori i Serbisë, pastaj edhe guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili, i cili përfaqësoi Kosovën në negociatat teknike për dinarin.

Kosova refuzoi që në takimet e thirrura nga BE-ja për dinarin të përfaqësohet në nivel politik sepse konsideron që çështja e rregullores së BQK-së mbi operacionet me para të gatshme nuk duhet të jetë temë në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Më 1 shkurt hyri në fuqi rregullorja e BQK-sё, nëpërmjet së cilës përcaktohet euro si e vetmja valutë ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb brenda territorit. Në zonat e banuara me shumicë serbe në vend, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore