Kosova

Ismaili: PDK kërkon heqjen e akcizës për 3 muaj – Pushteti spektator i ngritjes së çmimeve


Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili në një konferencë të thirrur për media, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosveprim dhe vonesë në reagim ndaj krizës që ka kapluar qytetarët nga rritja e çmimeve, andaj partia më e madhe opozitare ka kërkuar që të hiqet akciza për 3 muajt e ardhëm.

Ismaili ka thënë se Qeveria Kurti, fatkeqësisht, ka marrë rolin e spektatorit duke u shndërruar në vëzhgues, dhe jo akter.

“E për më keq, të vetmen konstante e ka arsyetimin. Kjo qeveri krizën energjetike e reduktoi në kërkesën që qytetarët të mos luajnë play station, arsyetimin që rryma nuk ruhet në frigorifer dhe tani rekomandimin që qytetarët ta kthejnë miellin në furrë. Kështu nuk menaxhohet oferta dhe kërkesa në ekonomi”, ka thënë Ismaili.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili

Për herë të parë që nga paslufta, Qeveria Kurti do ta fusë Kosovën në recension ekonomik.

“Në Kosovë sot kemi ngritje marramendëse të çmimeve, ku vaji, buka, mielli, e të tjera, po tregtohen me çmime që nuk përputhen me mundësitë financiare të qytetarit të Kosovës”.

“Pushteti aktual është duke soditur këtë krize nga ndërtesa qeveritare, përderisa qeveritë në rajon dhe Evropë janë duke u marrë aktivisht me krijimin dhe implementimin e politikave, ligjeve dhe veprimeve të ndryshme për të mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve. Në Maqedoni të Veriut, Kroaci e më gjerë kemi veprime konkrete që frenojnë rritjen e çmimeve dhe mbrojnë ekonomitë familjare”, ka thënë ai.

PDK konsideron se kriza ekonomike dhe sociale, por edhe pasiguria që po e përjetojnë qytetarët e Kosovës është mbi betejën ditore partiake e politike dhe se kjo parti propozon që Qeveria e Kosovës të ndërmarr hapa konkret në zbutjen e krizës në vend.

“Të largoj përkohësisht akcizën e aplikueshme mbi importin e naftës për një periudhë 3 mujore. Largimin e TVSH-së për mallrat esenciale si mielli, vaji, kripa dhe sheqeri deri më 1 korrik. Largimin e TVSH-së për të gjitha lëndët e para në sektorin e bujqësisë deri më 1 tetor. Largimin e TVSH-së për lëndët e para për prodhuesit vendorë të mallrave esenciale deri më 1 shtator”.

Gjithashtu, PDK ka kërkuar nga Qeveria që të bëjë “Lansimin e një programi 3 mujor me BQK deri më 1 qershor për qytetarët që nuk mund ta përballojnë rritjen e çmimeve. T’i mbështesë furnitorët e grurit dhe produkteve tjera esenciale për t’u qasur në tregjet ndërkombëtare dhe të obligohen të gjitha ambasadat e Kosovës të vendosin kontakte për të siguruar furnizim me lëndë të parë për prodhuesit vendorë dhe mallra esenciale për qytetarët”, ka thënë Ismaili.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore