Kosova

Ismaili ia sqaron rregulloren e re të BQK-së ambasadorit austriak


Ahmet Ismaili dhe Georg Schnetzer

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, të mërkurën ka takuar ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, me të cilin ka diskutuar Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorim e valutës shtetërore serbe, dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës.

Komunikata për media e lëshuar pas takimit njofton se Ahmeti i ka sqaruar ambasadorit austriak aspektet kryesore, efektet dhe argumentet për Rregulloren e re të BQK-së

“U sqarua se Rregullorja avancon integritetin e sistemit financiar dhe përafron Republikën e Kosovën me standardet e BE-së, si dhe ajo nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro, nuk kufizon aktivitetin këmbimor që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jobankare të licencuara nga BQK”, thuhet në komunikatë.

Në këtë aspekt, Ambasadori Schnetzer, siç njofton BQK-ja, është njoftuar edhe për Planin për zbatimin e kësaj Rregulloreje në praktikë, si dhe veprimet për lehtësimin e efekteve të saj.

“Në fund të takimit u theksua se BQK në mënyrë aktive po vazhdon me aktivitete të informimit dhe sensibilizimit, përfshirë lëshimin e linjës pa pagesë të dedikuar për qytetarët tanë dhe materiale tjera informuese, duke ftuar ata që ende nuk kanë llogari të hapin një të tillë në njërën nga bankat, e cila për grupe të cenueshme nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024 sipas Rregullores së BQK-së për Qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike”.

Ndryshe disa avokatë serbë nga Kosova, të martën, kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, rregullore kjo e cila ka ndaluar përdorimin e valutës shtetërore serbe, dinarin për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës.

Kërkesa e avokatëve serbë, siç raporton mediumi serb me seli në Kosovë, Kossev, është që rregullorja të pezullohet deri në momentin kur Kushtetuesja të konfirmojë ose të hedhë poshtë kushtetutshmërinë e kësaj rregulloreje.

Avokatët serbë ndër të tjera, siç raporton Kossev, kanë kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë edhe efektin e dëmit që ka shkaktuar rregullorja te situata socio-ekonomike e qytetarëve, gjegjësisht për mundësinë e shkeljes së të drejtave të njeriut.

Një vendim i Bankës Qendrore të Kosovës së fundmi ka shkaktuar fërkimin politik të radhës në mes të Qeverisë së Kosovës – e cila në emër të ligjit po tenton ta shtrijë sovranitetin në Veri të Kosovës – dhe komunitetit ndërkombëtar – i cili s’po do “surpriza” në terren, por zbatim të marrëveshjeve (Asociacionin).

Vendimi i BQK-së që në Kosovë të përdoret vetëm një valutë, euro, aktualisht ka ngecur në mes thirrjes së komunitetit ndërkombëtar që i njëjti të shtyhet deri në një afat më optimal, pasi shteti serb tha se vendimi i Kosovës afekton serbët e Kosovës, meqë ata i pranojnë të gjitha ndihmat nga Serbia në dinarë dhe në anën tjetër arsyetimin e autoriteteve kosovare se vendimi një fjalë është vetëm zbatim i një dispozite të Kushtetutës së Kosovës dhe asgjë tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore