Vende

Ishulli skocez ku enden kuajt e vegjël poni


Të shtrirë në brigjet perëndimore të Skocisë, Ishujt Perëndimor shpesh mund të duken si një vend i vetmuar.

Në ishullin e vogël të Eriskay-t, shfaqet vetëm rruga e vetme përmes një peizazhi të zymtë, pa pemë, të dominuar nga ngjyra gri dhe jeshile e thellë e shpateve shkëmbore.

Në veri, një shpërndarje e rrallë e shtëpive të forta mblidhen kundër erës, teksa një shtrirje plazhi me rërë të bardhë ndriçon skajin perëndimor të ishullit.

Eriskay i ngjan një ylli në fund të një vargu ishujsh më të mëdhenj: Uist-i Verior, Benbekula dhe Uist-i Jugor.

Vetëm 2.5 milje i gjatë dhe 1.5 milje i gjerë, Eriskay është lidhja e fundit në zinxhirin e xhadeve që lidhin ishujt së bashku, lidhja me Uist-in Jugor përfundoi vetëm 20 vjet më parë.

I arritshëm vetëm nga deti për një kohë të gjatë, qasja rrugore ka stabilizuar popullsinë e ishullit, asokohe në rënie drastike. Tanimë, banorët e ishullit mund të punojnë ose studiojnë jashtë ishullit teksa jetojnë ende në Eriskay.

Kjo ka lehtësuar edhe udhëtimin për vizitorët.

Megjithatë, izolimi i gjatë kishte përfitimet e veta.

Ai mbronte atraksione të tilla si Eriskay Pony, një nga racat më të vjetra dhe më të rralla në Mbretërinë e Bashkuar të kuajve të vegjël.

Teksa vazhdon ecjen, arrin të shohësh tufën e tyre që kullot lart në kodër.

Duke mbajtur torfe dhe alga deti mbi kurrizi, të vegjlit poni, të guximshëm dhe të urtë, dikur ishin vendimtarë për punën në prodhim.

Çdo familje ishullore kishte një kalë të vogël, ka treguar Sandra MacInnes, sekretare e Shoqërisë Eriskay Pony.

“Ata nuk do të kishin mbijetuar pa kalin e vogël. Ata nuk do të kishin torfe për t’i mbajtur të ngrohtë, nuk do të kishin alga deti”, ka vijuar ajo.

Por nga vitet 1970, kryesisht për shkak të mbarështimit të kryqëzuar dhe rritjes së përdorimit të mjeteve motorike për transport dhe punë, kuajt e vegjël do t’i afroheshin zhdukjes.

Edhe pse një numër kuajsh poni të racës së pastër mbijetuan, kishte mbetur vetëm një hamshor i racës së pastër, i quajtur Eric.

Kështu, themeluar në vitin 1972, shoqëria ndihmoi në kthimin e racës. Paçka se ende kategorizohen si të rrezikuar në mënyrë kritike, tani ka 300 pasardhës të Eric-ut në Mbretërinë e Bashkuar.

“BBC” tregon se formimi i shoqërisë poni ndodhi në një kohë të rritjes së ndërgjegjësimit kulturor dhe besimit në Skoci.

Partia Kombëtare Skoceze (SNP) fitoi deputetin e saj të parë në vitin 1967 dhe kuajt poni mund të kenë qenë përfituesit e disponimit më të sigurt kombëtar.

Në kërkimin e vet për formimin e shoqërisë poni, Liam Crouse, studiues në kolegjin Sabhal Mòr Ostaig UHI, ka mësuar se anëtarësimi i hershëm “përfshinte disa anëtarë të shquar të SNP-së”.

“Mendoj se është kombinim i një shoqërie kulturore skoceze gjithnjë e më të sigurt dhe të kuptuarit në Eriskay se këta poni ishin unikë dhe të rrallë”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore