Ish-zëdhënësi i NATO-s: Në Evropë ekzistojnë shumë modele të mira për Asociacionin

SHFLETO

Jamie Shea

 

Armat Matoshi
05.03.2023 22:40
Loading Icons...

Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, në një prononcim për Tëvë1, tha se në Evropë ka shumë modele në bazë të së cilave mund të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, pa e rrezikuar sovranitetin e Kosovës.

“Pra, trajtimi i komunitetit serb në Kosovë duhet të jetë bazuar në standardet evropiane. Pra, gjuha dhe kultura e tyre duhet të pranohet pa ndonjë paragjykim, ata duhet kenë një të ardhme të sigurt në Kosovë”.

“E di shumë mirë që Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është një temë e ndjeshme, por ka disa modele shumë të mira në Evropë që mund merren si shembull për formimin e Asociacionit, pa rrezikuar sovranitetin e vendit”, shtoi Shea.

Në takimin e nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, u arrit një dakordim që Kosova dhe Serbia të zhvillojnë një proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Shea e vlerësoi si një marrëveshje shumë të mirë për të dyja palët për të ecur para, ndërsa shtoi se një element shumë i rëndësishëm i kësaj marrëveshje është e drejta për vetëvendosje, e cila sipas tij, është shumë e rëndësishme, veçanërisht për Kosovën.

“Edhe në aspektin ekonomik parashihet që Kosova dhe Serbia të ndërveprojnë në fusha të ndryshme, dhe kjo ndihmon në normalizimin e plotë të raporteve mes palëve. Pra është progres i jashtëzakonshëm, edhe pse akoma mungon një nënshkrim nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç”, tha ai.

Ndryshe, në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parashihet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por me nenin 7 dhe 10 parashihet themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe status special për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

Albanian Post ka siguruar ekskluzivisht qasje në dokumentin që prezanton modelet mbi të cilat synohet të ndërtohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Disa janë modele të përmendura më parë dhe disa janë prej atyre që nuk janë dëgjuar në publik.

Janë gjithsejtë 18 raste me organizime të ndryshme, disa me kompetenca tejet të zgjeruara në nivel autonomie dhe të tjera më të buta, por të gjitha paraqesin modele etnike, apo territoriale të organizimit.

Ekskluzive në Albanian Post: 18 modelet evropiane për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe