Lajme

Ish-shefi i operacioneve në inteligjencën kroate: Pas debaklit në Banjë, Vuçiç është fiksuar patologjikisht pas Kroacisë


Ante Letica

Ish-shefi i operacioneve në Agjencinë e Sigurisë dhe Inteligjencës kroate (SOA), Ante Letica, ka thënë se dëbimi i diplomatit kroat nga Serbia është “një akt agresioni” i Serbisë ndaj Kroacisë.

“Fatkeqësisht, mesazhi këtu është armiqësor, sepse nëse bëhet kjo, bëhet në heshtje, pa shumë zhurmë. Për [Aleksandër] Vuçiç-in, kjo është një lëvizje për rrethanat e brendshme politike ku ai po përpiqet të tregojë se si kujdeset për sigurinë e Serbisë”, ka thënë Letica.

“Pas debaklit në Banjë në Kosovë, Vuçiç tha se Serbia është nën presionin e shërbimeve të huaja të inteligjencës, duke përfshirë atë kroat ku ai shpalli disa masa”, shtoi.

Sipas tij, kreu i Serbisë është “i fiksuar patologjikisht” pas Kroacisë.

“Sa herë që Serbia e gjen veten në një pozitë të vështirë, ajo krijon armiq në Kroaci dhe pastaj flet për këtë në Serbi. Më duhet të theksoj se bashkëpunëtori i tij i rëndësishëm, [Aleksandër] Vulin, u hoq për shkak të lidhjeve me Rusinë, por edhe me krimin e organizuar”, vlerësoi.

Ish-shefi i operacioneve në SOA, ka theksuar se Kroacia ka reaguar mirë me kundërpërgjigjen e saj, pasi që ia ktheu me të njëjtën monedhë, duke ia shpallur non grata një diplomat Beogradit, pasi që, sipas tij kjo tregon se Zagrebi s’ka partnerë në Serbi.

“Vuçiç po përpiqet ta tregojë Serbinë si dikë që është në krye të rajonit dhe që zgjidh problemet në rajon. Dhe kështu dëshiron që Kroacia të sillet ndaj Serbisë, gjë që nuk ka nevojë sepse ne jemi shtet sovran. Ata po përpiqen të vendosen si një lloj bosi dhe sa herë që ka një lloj destabiliteti në Serbi, menjëherë shfaqen disa armiq të jashtëm që nuk e duan Serbinë, së pari kroatët, pastaj shqiptarët”, potencoi ai.

Kroacia ia kthen me të njëjtën monedhë, shpall non-grata diplomatin serb

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore