Lajme

Ish-shefi i misionit të EULEX-it ndihet i nderuar pasi Osmani e dekori me medalje presidenciale


Vjosa Osmani dhe Lars-Gunnar Wigemark

Ish-shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, e ka vlerësuar medaljen presidenciale për sundimin e ligjit që presidentja Vjosa Osmani ia dha të premten në takimin lamtumirës.

Wigemark përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter”, ka thënë se “jam i nderuar dhe thellësisht i prekur që kam marrë Medaljen Presidenciale për Sundimin e Ligjit nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Pas më shumë se tre vitesh në drejtimin e EULEX-it në Kosovë, kjo është mënyra më e mirë për të përfunduar mandatin tim si Shef i EULEX-it. Faleminderit!”, shkroi ai në “Twitter”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të premten në takim lamtumirës shefin e misionit të EULEX-it në Kosovë, Ambasadorin Lars-Gunnar Wigemark, të cilin e kishte dekoruar me medalje presidenciale për sundim të ligjit.

Siç njoftonte zyra e presidentes “në takimin me Ambasadorin Wigemark, Presidentja Osmani diskutoi edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe për bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës me EULEX-in për tejkalimin e këtyre sfidave”.

“Presidentja Osmani vlerësoi kontributin e EULEX-it në promovimin e sundimit të ligjit dhe theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës për të arritur qëllimet e sigurisë dhe sundimit të ligjit në secilën pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftim.

Image

Po ashtu, gjatë takimit e para e vendit ka dekoruar shefin e EULEX-it me medalje presidenciale për sundimin e ligjit, dhe ka theksuar rëndësinë e partneritetit mes institucioneve të Kosovës dhe organizatave partnere ndërkombëtare që operojnë në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit.

“Presidentja Osmani falënderoi EULEX-in për bashkëpunimin e tyre me institucionet e Republikës së Kosovës në fuqizimin e sundimit të ligjit në kuadër të mandatit ekzistues për këshillim, mentorim dhe monitorim”.

Gjithashtu, në njoftim thuhet se dekorimi me medaljen presidenciale për sundim të ligjit paraqet “vlerësimin dhe mirënjohjen e thellë të Republikës së Kosovës ndaj Ambasadorit Wigemark dhe EULEX-it për përkrahjen dhe bashkëpunimin e tyre të palëkundur në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të sigurt në Kosovë”.

Osmani pret në takim lamtumirës shefin e misionit të EULEX-it, e dekoron me medalje presidenciale

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore