Kosova

Ish shefat e AKI-së pa asnjë përkujdesje institucionale


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Investimet në burime njerëzore konsiderohet se janë investime kapitale për një shoqëri si në aspektin politik po ashtu edhe në atë ekonomik.

Mirëpo, kur investimet në burime njerëzore nuk kanë një politikë të mirëfilltë, në kuptimin që bëhet investimi në burime njerëzore dhe për një moment ata njerëz mbesin jashtë institucionit, kjo konsiderohet si një humbje e investimit dhe vet kuadrove të përgatitur me vite.

Gjithashtu, investimet e një shteti në krijimin e kuadrove profesionale në institucionet e tij, janë investime edhe në vet memorien institucionale.

Kapitali njerëzorë është konsideruar një nga forcat kryesore lëvizëse të inovacionit dhe zhvillimit të një shoqërie.

Politika dhe burimet njerzore

Në Kosovë, politika ka një qasje të gabuar në raport me resurset njerëzore, sidomos kur bëhet fjalë për udhëheqës të dikastereve të cilët ndërrohen sa herë që ndërrohet pushteti.

Kjo ndodh edhe kur bëhet fjalë për njerëz që menaxhojnë edhe me dikastere të sigurisë.

Së fundi ish-udhëheqësja e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Vlora Hyseni është shkarkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja, Vjosa Osmani.

Hyseni nga ana tjetër është angazhuar si këshilltare e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

ish-udhëheqësja e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Vlora Hyseni

Ish zyrtarët e intelegjencës të mos anashkalohen nga institucionet

Njohësit e çështjeve të sigurisë, konsiderojnë se angazhimi i zonjës Hyseni jashtë shtetit të Kosovës dhe të tjerëve, por edhe lënia jashtë institucioneve e shumë njerëzve që kanë informata të klasifikuara përbënë rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës.

Për Albanian Post, ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, ka thënë se njerëzit që punojnë nëpër institucione të sigurisë, të inteligjencës e që lihen jashtë, përjashtohen, suspendohen nga institucioni dhe mos-kontrolla mbi ta pas largimit nga puna përbënë rrezik dhe është shumë e dëmshme për një shtet, pa marrë parasysh cili shtet është.

“Pa marrë parasysh që ligji dhe rregulloret e institucioneve i rregullojnë këto që një zyrtarë nëse punon në inteligjencë, ushtri apo polici, nuk lejohet që të qes publikisht sekretet që i ka marrë apo dijen që e ka për to dhe institucionin, mendoj që shteti nuk ish dashtë që t’i len këta zyrtarë jashtë  kontrollit dhe që t’i len nën përkujdesjen e dikujt tjetër, pa marrë parasysh se kush është ai”.

Tutje Kastrati ka thënë se përveç sigurisë së shtetit, në këta njerëz shteti ka investuar shumë me anë të trajnimeve dhe shkollimeve profesionale.

“Absolutisht ka të bëjë edhe me investimet, se të gjithë këta zyrtarë të lartë qofshin ata ushtarak, të inteligjencë apo të policisë, ata gjatë asaj karriere sa kanë kontribuar, po them për zyrtarë që janë nëpër detyra të larta, nëpër detyra vendimmarrëse, kanë kryer shumë trajnime, qofshin brenda qofshin edhe jashtë vendit”.

“Ata njerëz i kanë kushtuar shtetit shumë dhe në fund t’i  lemë anash, dhe t’i hedhim të gjitha ato investime por, edhe tu e rreziku edhe sigurinë kombëtare, mendoj që kjo është papjekuri edhe pa-provojë e institucioneve”, ka thënë Katrati.

ish-Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati

Sipas tij, nuk duhet të ndikoj partia politike apo “ngjyra politike” që këta zyrtarë t’i lanë jashtë institucioneve pa marrë parasysh që a kanë marrë ndonjë ngjyrë politike apo jo.

“Këta zyrtarë ish dashtë të jenë nën-kontrollë çdoherë dhe të jenë nën-kontrollin e shtetit të Kosovës”, ka përfunduar Kastrati.

Ish-zyrtarët e intelegjencës të ekspozuar ndaj rreziqeve 

Ndërsa Mentor Hoxhaj ekspert i sigurisë së informacionit për Albanian Post ka thënë se lënia jashtë e njerëzve që kanë qasje në informacione të klasifikuara paraqet rrezik për sigurinë kombëtare, por edhe për vet këta persona.

“Paraqet rrezik të jashtëzakonshëm si për personat, të cilët tani të zhveshur nga institucioni ju ekspozohen rreziqeve ashtu dhe për shtetin, nëse këta persona bien në ‘duar të gabuara’”, tha Hoxhaj.

Në parim, ne kemi pasur dhe ende kemi “ish shefa” të inteligjencës të cilët janë duke u ”sillur rrugëve të Prishtinës” pa asnjë përkujdesje institucionale ka thënë ai.

“Logjika e ‘burokratëve shtetërorë’ është se këta kanë obligim ligjor që të mos zbulojnë fshehtësitë respektivisht sekrete me të cilat kanë qenë të njoftuar gjatë punës. E bukur kjo në teori por, në aspektin praktik mund të dal ndryshe”, thotë ai.

Ekspert i sigurisë së informacionit, Mentor Hoxhaj

Hoxhaj konsideron se ndërrimi i shpeshtë i shefave të AKI-së është lajm jo i mirë për këtë institucion i cili është shumë i rëndësishëm për shtetin.

“Këta persona nuk mbajnë me vete vetëm ‘të dhënat sekrete’, por edhe memorien institucionale, e cila është pjesa më e rëndësishme në udhëheqjen e suksesshme”.

Hoxhaj konsideron se shtetet e zhvilluara, personat e tillë “nuk i ‘len’ të largohen, gjithmonë janë të angazhuar minimalisht në nivel këshillëdhënës”.

Ndërsa njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala ka thënë se angazhimi i znj.Hyseni në kabinetin e kryeministrit të Shqipërisë përbën cenim për AKI-në sepse ka të bëjë me protokollin e sigurisë së Kosovës.

“Marrja e një vendimi të tillë në veti ngërthen shumë pyetje të cilat ndërlidhen me protokoll të sigurisë sa i përket angazhimit në ndonjë pozitë jashtë institucioneve të sigurisë vendore. Pra, angazhimi i mundshëm i zonjës Hyseni është cenim i drejtpërdrejtë i institucionit të AKI-së duke marrë parasysh që ka shërbyer në pozitat më të larta të këtij institucioni dhe me këtë, ajo ka pasur qasje në të gjitha dokumentet dhe informacionet e klasifikuara top-secret”, ka thënë Shala.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore