Libra

Ish-punonjësi që vodhi më shumë se 1 mijë dorëshkrime ‘donte t’i çmonte para kujtdo tjetër’


Një ish-punonjës që ka vjedhur dorëshkrime të librave nga Margaret Atwood, Sally Rooney dhe Ian McEwan ka thënë se kishte një “dëshirë të zjarrtë” të ndihej sikur ishte vet botuesi.

Dhe se nuk kishte ndërmend t’i zbulonte librat e vjedhur.

Filippo Bernardini u deklarua fajtor për një akuzë të mashtrimit në New York në janar, duke përfshirë vjedhjen e më shumë se 1 mijë dorëshkrimeve.

Ai punoi si koordinator i të drejtave në Londër për Simon & Schuster, i cili nuk është përfshirë në asnjë nga krimet e tij. Ai imitoi agjentë dhe botues me email për të marrë romane dhe vepra të tjera nga shkrimtarët dhe përfaqësuesit e tyre.

Në dokumentet e gjykatës, të botuara javën e kaluar, Bernardini ka thënë se ai kurrë nuk i zbuloi dorëshkrimet që kishte marrë, por “donte t’i mbante ato afër gjoksit dhe të ishte një nga më të paktët që i vlerësonte para kujtdo tjetër, përpara se të përfundonin në librari”.

Ai, në deklaratën e tij, ndjeu një “lidhje të veçantë dhe unike me autorin, pothuajse sikur të isha unë redaktori i atij libri” kur lexonte disa nga dorëshkrimet.

Duke detajuar se si ai filloi skemën e tij për të marrë dorëshkrime, Bernardini ka treguar se i shihte duke u ndarë “midis redaktorëve, agjentëve letrarë apo edhe me individë jashtë industrisë” dhe pyeste veten pse ai nuk mund t’i merrte gjithashtu.

Duke filluar nga gushti 2016 dhe duke vazhduar deri në arrestimin e tij në New York në janar 2022, Bernardini imitoi qindra njerëz në botën e botimeve duke dërguar email nga llogari të rreme.

“Një ditë, krijova një adresë emaili mashtruese për dikë që e njihja në industrinë e botimeve dhe i dërgova një email dikujt tjetër që e njihja se kërkonte një dorëshkrim para botimit”, ka thënë Bernardini në deklaratën e tij.

“Kam shkruar në stilin dhe gjuhën që kishin përdorur ish-kolegët e mi. Kur kjo kërkesë ishte e suksesshme, që nga ai moment, kjo sjellje u bë një obsesion, një sjellje kompulsive”, ka vijuar ai.

Ai e dinte se sa “të rënda, budallaqe dhe të gabuara ishin veprimet” e tij dhe se ai do të lidhej përgjithmonë me krimin e tij.

Avokatja e tij Jennifer Brown ka shkruar në një parashtrim dënimi se Bernardini u rrit si një fëmijë i vetmuar, i ngacmuar, homoseksual, në një pjesë konservatore të Italisë dhe ngushëllohej nga librat.

Ajo ka argumentuar se ai kishte “pësuar shkatërrim profesional dhe të reputacionit” dhe se ndalimi nga industria botuese ishte veçanërisht “e dhimbshme” për të për shkak të dëshirës së tij për t’u ndjerë si një i brendshëm i industrisë.

Sakaq, Bernardini do të dënohet më 5 prill.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore