Lajme

Ish-presidenti kroat: Situata në rajon e rëndë, shqetësues nacionalizmi në rritje


Ivo Josipoviç

Ish-presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviç, ka vlerësuar se situata në rajon, pra në Ballkanin Perëndimor, është e rëndë, “ndoshta më e rënda në këtë shekull”.

Këto komente, Josipoviç i ka bërë në një intervistë për median opozitare serbe “Nova”, ku ka theksuar se marrëdhëniet mes Beogradit dhe Zagrebit “janë sigurisht më të këqijat që nga vitet 2000”.

“Ka disa pika të nxehta të krizës. Para së gjithash janë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Më pas, marrëdhëniet e brendshme në Bosnje e Hercegovinë janë gjithnjë e më të tensionuara. Probleme ka edhe në Maqedoni dhe në marrëdhëniet e saj me fqinjët, në radhë të parë me Greqinë, tani me Bullgarinë. Ka edhe probleme të brendshme, ka deklaruar ai.

Në fakt, sipas ish-presidentit kroat, “situata është shqetësuese dhe nuk gjenerohet vetëm midis vendeve individuale, por edhe nga problemet e brendshme, kryesisht nacionalizmi në rritje dhe korrupsioni shumë i fortë që paralizon zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendeve të caktuara”.

“Me anëtarësimin e tyre në BE, Kroacia dhe Sllovenia janë në një pozitë më të mirë, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht, por në asnjë mënyrë pa probleme”.

Ai ka vlerësuar se Serbia mund të hynte në BE në një periudhë kohore prej 10 viteve, e ndoshta edhe më herët, po të mos kishte probleme me Kosovën.

“Sipas shumë aspekteve të zhvillimit të saj, Serbia mund të hyjë në BE për dhjetë vjet, ndoshta edhe më shpejt, nëse nuk do të kishte probleme me Kosovën dhe nëse do të futej në politikën e jashtme të BE-së”, beson.

“Mendoj se reformat e tjera, përveç ndoshta lufta kundër korrupsionit, do të ishin shumë më të lehta dhe më të shpejta për t’u zbatuar. Ndonëse, disa reforma, veçanërisht reforma në drejtësi dhe administratë shtetërore, nuk janë të thjeshta dhe as zbatimi i plotë i kritereve politike për anëtarësim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore