Lajme

Ish-presidenti i Gjeorgjisë – edhe pse në gjendje të rëndë – vijon grevën e urisë në burg


Ish-presidenti i burgosur i Gjeorgjisë dhe lideri i opozitës, Mikheil Saakashvili, ka deklaruar se do ta vijojë grevën e tij të urisë.

Kjo, në shenjë proteste kundër asaj që ai tha se ishte dështimi i Qeverisë për t’i ofruar atij kujdesin e duhur mjekësor.

“Sot, unë jam duke hyrë në një grevë urie”, tha Saakashvili, duke shtuar se, “kërkesa është që të më jepet kujdesi i duhur mjekësor, siç këshillohet nga mjekë të pavarur”.

Presidenti i Gjeorgjisë, nga viti 2004 deri në vitin 2013, u arrestua dhe u burgos më 1 tetor, pak pasi u kthye fshehurazi në Gjeorgji nga mërgimi në Ukrainë.

Më pas, ai refuzoi ushqimin për 50 ditë për të protestuar kundër burgosjes së tij për shpërdorim detyre, dënim që e ka denoncuar si të motivuar politikisht.

Një protestues mban një foto të ish-presidentit Mikheil Saakashvili gjatë një mitingu përpara burgut ku po mbahet ai

Në dhjetor, një këshill i pavarur mjekësh që ekzaminoi Saakashvil-in në paraburgim tha se i ishin shfaqur sëmundje të rënda neurologjike si, “rezultat i torturës, keqtrajtimit, kujdesit të pamjaftueshëm mjekësor dhe një greve urie të zgjatur”.

Ai gjithashtu protestoi kundër vendimit të administratës së burgut për të ndaluar mjekun e tij personal që ta vizitojë atë në paraburgim.

Arrestimi i Saakashvil-it përkeqësoi një krizë politike që rrjedh nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, që opozita i denoncoi si mashtruese.

Ajo, gjithashtu, nxiti protestat më të mëdha antiqeveritare në një dekadë.

Grupet e të drejtave kanë akuzuar Qeverinë gjeorgjiane për përdorimin e ndjekjeve penale për të ndëshkuar kundërshtarët politikë dhe mediat kritike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore