Shqipëria

Ish-ministri i Ekonomisë për AP: Në teori rënia e euros redukton kërkesën për importe


Pas një rënieje konstante dhe të ndjeshme në treg, monedha evropiane euro ka fituar terren në ditët e fundit ndaj dollarit amerikan.

Mirëpo më 14 korrik, dollari e tejkaloi zyrtarisht vlerën e euros në tregun shqiptar, pak ditë pasi valutat mes njëra-tjetrës regjistruan vlerë të njëjtë dhe monedha amerikane filloi të merrte një epërsi të lehtë.

Lidhur me këto ndryshime në tregun valutor, ish-ministri i Ekonomisë, Zef Preçi në një prononcim për Albanian Post sqaroi impaktin ekonomik nëse dollari e kalon në vlerë euron në Shqipëri, në terma më afatgjatë.

“Analiza të ndryshme tregojnë se rënia e euros kundrejt dollarit amerikan në nivelin më të ulët historik prej 20 vitesh në tregjet perëndimore ka dhënë efektet e saja edhe në tregun shqiptar. Për më tepër që këto efekte ndodhin në kushtet kur në mënyrë disi të pashpjegueshme oferta monetare në euro është rritur dukshëm dhe nuk shpjegohet dot me prurjet monetare të emigracionit apo me konsumin gjatë kësaj stine kryesisht të produkteve me bazë prodhimin vendas”.

Për ekspertin e ekonomisë pranohet gjerësisht se në ekonominë tonë është rritur me shpejtësi prania e burimeve monetare informale dhe veçanërisht të atyre kriminale.

“Ekspertët dhe analistët e tregjeve shprehin shqetësimin për këtë situatë dhe parashikojnë që rënia e euros tregon se Eurozona po shkon drejt recesionit”.

Ish-ministër i Ekonomisë, Zef Preçi

Sa u takon ndikimeve të këtij fenomeni, Preçi thekson se vlerësime të ndryshme tregojnë se ato lidhen me turizmin, tregtinë, inflacionin dhe borxhin publik.

“Këto ndikime janë universale, domethënë veprojnë në rang botëror, në ekonomitë e mëdha, por jo aq në ekonominë tonë kombëtare, e cila është e vogël, e dobët dhe e paintegruar mjaftueshëm me ekonominë botërore”.

Ai shpjegoi se në teori, në rastin kur monedha kombëtare, në rastin tonë leku, është më e dobët, ky fenomen duhet të rrisë koston e mallrave të huaja për konsumatorët vendas, duke reduktuar kështu kërkesën për importe.

“Kështu, një monedhë më e dobët zakonisht vlerësohet të jetë një mekanizëm kyç për rritjen e konkurrencës ndërkombëtare të prodhuesve vendas. Mirëpo zhvillimet e vitit të fundit në ekonominë botërore dhe për rrjedhojë edhe në atë shqiptare, për fat të keq, kanë ecur në drejtimin e kundërt”.

Sipas Preçit, monedha jonë kombëtare është forcuar apo mbiçmuar, kryesisht për shkak të rritjes së ofertës monetare në euro nga burime infomale dhe kriminale, kështu që edhe efektet duhen lexuar në kahun e kundërt.

“Është rasti të kujtojmë që nëse importet tona me këtë rast janë bërë relativisht më të lira, eksportet janë përkeqësuar për këtë shkak, domethënë mbiçmimi i lekut ndikon drejtpërdrejt në përkeqësimin e nivelit të jetesës në kategorinë e të punësuarve në industritë që punojnë për eksport si fasonet.

Ish-ministri shtoi gjithashtu se në situata të tilla “amullie nuk mund të identifikosh përfitues të drejtpërdrejtë, por mund të thuhet që importuesit përfitojnë.

“Ndonëse përfitimet i “gëlltit” rritja e çmimeve për shkak të inflacionit, por edhe spekulantet e tregjeve. Edhe borxhi publik, pjesa që është marrë në monedhë të fortë euro, me këtë rast përfiton në terma relative, domethënë përfitimi zgjat për aq kohë sa kursi i këmbimit të monedhës vendase me euro ruan këtë trend”.

Në mbyllje, Preçi nxjerr në pah “kërcënimin përherë e më të besueshëm që po shfaqet në horizont për ekonominë tonë kombëtare është stagflacioni, për të cilin si njohuritë  ashtu edhe politikat korrigjuese të harmonizuara monetare e fiskale mungojnë thuajse plotësisht”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore