Lajme

Ish-ministrat e Ballkanit reagojnë për ngjarjet në Malin e Zi, kërkojnë dialog


Fota nga protesta në Mal të Zi

Zhvillimet e fundit në Mal të Zi të cilat lidhen me shugurimin e Kreut të kishës Ortodokse Serbe, Joanikije, kanë bërë që ish-ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor t’iu drejtojnë apel drejtuesve më të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).

Përmes një letre dërguar Presidentit të Këshillit Europian Charles Michel, Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von dear Leyen si dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ish-zyrtarët e lartë të qeverive të Ballkanit Perëndimor kanë bërë thirrje për nisjen e menjëhershme të dialogut politik gjithëpërfshirës.

Kjo për shkak qëllimit të gjetjes së zgjidhjeve paqësore e tejkalimin e konfliktit dhe nga ana tjetër, mos lejimin e zbehjes së rolit të BE-së dhe NATO-s në këtë kënd të Evropës.

“Meqë të gjithë i kemi përjetuar luftërat ballkanike të viteve 1990, nuk mund të mos shohim ngjashmëritë alarmante midis ngjarjeve të sotme në Mal të Zi dhe ngjarjeve që çuan në ato luftëra 30 vjet më parë. Mali i Zi nuk është një vend me një popullsi të madhe, por është strategjikisht shumë i rëndësishëm për stabilitetin e Evropës Juglindore”, thuhet në apel.

“Një vend tjetër në konflikt të hapur dhe krizë në Evropë është gjëja e fundit që i duhet Evropës dhe botës për momentin. Prandaj u bëjmë thirrje institucioneve tona të BE -së dhe aleatëve të tjerë që të përfshihen në një dialog aktiv politik me të gjithë aktorët e ndryshëm politikë dhe socialë në krizën aktuale në Mal të Zi dhe të ndihmojnë në sigurimin e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit të përshkallëzuar në vend”.

Ish-zyrtarët e shteteve kanë thënë se megjithëse duket se ngjarjet që kanë të bëjnë me shugurimin e Mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi, Joanikije, lidhen me çështje fetare, në fakt “ato nuk kanë të bëjnë asgjë me fenë, apo me politikën a ideologjinë”.

“Ato janë një tjetër manifestim i konfliktit midis forcave që besojnë se Mali i Zi nuk duhet të ekzistojë si shtet i veçantë, dhe atyre që besojnë se Mali i Zi duhet të mbetet i pavarur. Nuk ka dyshim se ish-qeveria malazeze mund të kritikohet në shumë nivele. Kritikët e tyre më agresivë vijnë nga radhët e njerëzve që refuzojnë vetështetësinë dhe pavarësinë politike të Malit të Zi”, thuhet tutje.

Po ashtu, në apel theksohet se “nuk duhet të jesh ekspert i historisë së Ballkanit për të ditur se të gjitha përpjekjet për të ndryshuar kufijtë në këtë rajon janë ndjekur nga afër nga luftërat, vuajtjet njerëzore dhe tragjeditë e mëdha”.

“Pretendimi se asgjë nuk po ndodh do të ketë pasoja të tmerrshme për Malin e Zi dhe rajonin. Është veçanërisht e rëndësishme të vëreni dhe kundërshtoni përpjekjet e reja për të nënshtruar një qeveri të dobët politikisht të Malit të Zi nën ndikimet kundër NATO-s dhe BE-së ”, u tha në fund të “Apelit për Malin e Zi” drejtuar drejtuesve të BE-së dhe NATO-s”.

Pjesë e këtij apeli ishte edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme në Kosovë, Enver Hoxhaj të cilit i është bashkangjitur edhe Ditmir Bushati, ish-ministër Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Ndërkaq, në një situatë të tensionuar, në Cetinje të Malit të Zi është mbajtur ceremonia e shugurimit të Kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, shkroi në rrjetin social Instagram se ka bërë shugurimin e Joanikijes duke u lutur për paqen e të gjithëve, paqen e të gjithë botës, dhe mbi të gjitha për paqen e këtij qyteti.

Më 4 dhe 5 shtator protestuesit kanë kundërshtuar mbajtjen e kësaj ceremonie në qytetin e Cetinjës.

Ata dolën në rrugë dhe vendosën barrikada në hyrje të qytetit për të penguar arritjen e krerëve të Kishës Ortodokse Serbe nga Podgorica në Cetinje.

Por, Porfirije dhe Joanikije u transportuan me helikopter deri në Manastirin e Cetinjës.

Janë raportuar edhe përleshje me policinë malazeze. Forca të shumta të sigurisë janë vendosur në qytet.

Përveç ndasive brenda përkrahësve të Kishës Ortodokse Serbe dhe asaj të Malit të Zi, ceremonia ka nxitur përplasje edhe mes udhëheqësve shtetëror.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore