Sport

Ish-mesfushori i Chelsea-t mbron Lampard-in: As Guardiola ose Mourinhon s’do mund ta shpëtonin ekipin


Ish-mesfushori i Chelsea-t, Claude Makelele, e ka mbrojtur trajnerin e tanishëm të bluve të Londrës, Frank Lampard-in.

Makelele ka thënë se nuk duhet fajësuar Lampard-i (ish-shoku i tij i ekipit) për periudhën e errët që po kalon Chelsea, pasi sipas tij as Guardiola ose Mourinho nuk do të kishin bërë më mirë.

Ish-mesfushori i Bluve beson se shefi i përkohshëm duhet të lirohet nga çdo përgjegjësi për “rrëmujën” e krijuar në “Stamford Bridge”.

Duke folur në çmimet “Laureus World Sports” në Paris, ish-reprezentuesi francez qëndroi plotësisht pas ish-shokut të tij të skuadrës dikur.

“Është një situatë e vështirë – jo vetëm për Frank – do të ishte për çdo menaxher tjetër. Mund të kishit sjellë Guardiola-n, Mourinho-n apo cilindo që mendoni se është më i miri, por vështirësitë do të ishin të njëjta”, tha fillimisht francezi.

“Ka shumë lojtarë të rinj në organikë dhe Lampard nuk ka pasur mundësinë t’i njoh ata. Fitorja e fundit sjell një frymë pozitive në skuadër pas shumë vështirësive”, u shpreh francezi.

Chelsea është duke kaluar një nga sezonet më të vështirë në histori teksa skuadra vuan mungesën e rezultateve dhe është jashtë çdo objektivi sezonal.

Ata ndryshuan tre herë trajnerin teksa e nisën sezonin me Thomas Tuchel, e vazhduan me Graham Potter dhe tashmë po e përfundojnë me Frank Lampard.

Ky i fundit nuk ka mundur t’i ndryshojë “fytyrë” skuadrës dhe vetëm pas gjashtë ndeshjeve (përfshirë edhe dy sfidat me Real Madrid-in në Ligën e Kampionëve), ia doli të merrte fitoren e parë, duke e mposhtur Bournemouth-in.

Kujtojmë që Chelsea bëri një investim rekord në skuadër, sidomos në afatin kalimtar të janarit, duke shpenzuar mbi 300 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore