Kosova

Ish-kryeshefi i PTK-së Shqyri Haxha, lirohet nga akuza për lidhje të kontratës së dëmshme


Shqyri Haxha.

Ish kryeshefi i Postës dhe Telekomit të Kosovës, Shyqri Haxha  është liruar nga akuza se kishte lidhur kontratë të dëmshme sa ishte në këtë pozitë.

Ky aktgjykim lirues është shpallur të premten nga gjyqtari Sabit Sadikaj në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

“Gjykata në këtë përfundim ka ardhur pasi që duke u bazuar në Ligjin për Prokurim Publik me nr. 2003/17 i vitit 2008, i cili ka qenë në fuqi në kohën e lidhjes se kontratës, me nënshkrimin nga zyrtari i prokurimit të PTK-se dhe përfaqësuesi i ‘Amdocs’ kontrata hynte ne fuqi ndërsa nënshkrimi nga kryeshefi Shyqri Haxha nuk kishte kurrfarë detyrimi për PTK-në”, thuhet në aktgjykim.

Pas pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar, palët kanë të drejtë ankesa brenda 30 ditë përmes kësaj Gjykate në Gjykatën e Apelit, raporton ‘Betimi për Drejtësi’.

Kurse, në seancën e fundit, Haxha kishte thënë se ndaj tij është bërë përndjekje politike dhe se ai “nuk kishte bërë asnjë shkelje”.

Në aktakuzën e 20 majit të vitit 2010, Qeveria-aksionari i dërgon PTK-së listën me projektet e aprovuar dhe në këtë listë mungon aprovimi i projektit “Platforma e Faturimit të PTK-së”, ashtu që ka vepruar vepruar në kundërshtim me nenin 12 të statutit të PTK-së.

Në aktakuzë thuhej se më këtë i kishte shkaktuar humbje në shkallë të madhe PTK-së, ngase e njëjta me kërkesë të aksionarit, më 14 maj 2010 e ka shkëputur njëanshëm kontratën e lartcekur dhe pas kësaj “Amdocs Development Limited”, ka iniciuar procedurën për kompensimin e dëmit pranë Tribunalit të Arbitrazhit në Londër me padi ndaj PTK-së

Gjithashtu si pagesë, kësaj kompanie i është paguar nga PTK-ja shuma prej 9,000,000.00 euro si dhe shpenzimet e tjera të bëra lidhur me shkëputjen e kësaj kontrate në vlerën prej 891,022.81 euro, apo në shumën e përgjithshme në vlerë prej 9,891,022.81 euro, me çka të dëmtuarës, PTK-së i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore