Kosova

Ish-komandanti i NATO-s: Putini kërkon të hapë një front të dytë në Ballkanin Perëndimor


Ilustrim

James Stavridis, admiral në pension i marinës amerikane dhe ish-komandant i forcave evropiane të NATO-s, në një artikull kushtuar zhvillimeve të fundit në rajon, shkroi se Rusia kërkon të shkaktojë telashe në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë, në përpjekje për të dëshmuar dobësinë e NATO-s përmes përshkallëzimit të tensioneve.

Nuk janë të gjithë sytë nga shtetet lindore, konsideroi ai në një artikull të publikuar në prestigjozen amerikane “Bloomberg” të martën, posaçërisht sepse për presidentin rus, Vladimir Putin, ekziston një objektiv tjetër shumë tërheqës. Por si mund të kërkojë Putini të zgjerojë ndikimin rus dhe të minojë angazhimin e NATO-s në këtë cep të rëndësishëm të Evropës?

Rreth tre dekada pas shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë, tensionet në këtë rajon të rrethuar nga armiqësitë etnike u rikthyen sërish, posaçërisht pas përplasjeve të fundit midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe pas thirrjeve secesioniste të presidentit ultra-nacionalist të serbëve të Bosnjë-Hercegovinës, Millorad Dodik, një aleat i ngushtë i Putinit në këtë rajon.

“Putini kërkon të përfitojë nga historitë e papërfunduara. Ai e di se nëse vendet anëtare të NATO-s tërhiqen përsëri në ruajtjen e një rajoni të trazuar, ata do të shpërqendrohen nga fokusi i tyre në Ukrainë”, shkroi Stavridis, derisa përmendi tensionet e fundit midis Kosovës dhe Serbisë që arritën në nivele shpërthyese vitin e kaluar për të vazhduar edhe përgjatë këtij viti.

“Në vitin e kaluar, ushtria serbe u fut në gatishmëri të lartë pas trazirave të protestuesve etnikë serbë brenda Kosovës, duke plagosur rreth 100 ushtarë të NATO-s; kjo e detyroi aleancën të dërgonte disa qindra paqeruajtës shtesë. Putini e inkurajon qartë Serbinë që të bëjë presion mbi qeverinë e Kosovës të mbështetur nga NATO”, shkroi ndër të tjera Stavridis.

Megjithatë, në sytë e mbrehtë të ushtarakut amerikan, përvoja e të cilit u farkëtua në luftërat ballkanike, ndonëse ideja e vendosjes së trupave të aleancës në Ukrainë nuk ka gjasa të ndodhë, rritja e prezencës në kuadër të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe marrja e masave përpara se Putini të veprojë, duhet dhe mund të futet në agjendën e mbrotjes kolektive.

Ndryshe, për shumë vëzhgues të huaj, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte, tani rreziku i ri-përshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet rajonale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore