Sport

Ish-kapiteni i Kosovës: Marre, e keni degraduar futbollin n‘Kosovë


Ish-kapiteni i Kosovës në futboll, Anel Rashkaj, ka reaguar pas një episodi që ndodhi sot (e diele, 28 maj) në xhiron e fundit të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll.

“Marre. E keni degradua futbollin n’ Kosovë. As n’filma të Hollyëoodit nuk she k’si skena. Me pas qejf futbollin edhe me dit (kuptua) futbollin janë dy gjëra të ndryshme”, ka shkruar Anel Rashkaj në profilin e tij në Facebook.

Ky reagim i Rashkaj erdhi pas ndeshjeve të xhiros së fundit, më konkretisht atyre Ferizaj – Dukagjini dhe Trepça’89 – Prishtina.

Këto dy ndeshje përcaktonin se cila nga ekipet do të mbetej në zonën e barazhit, Ferizaj apo Trepça’89.

Në ndeshjen mes Ferizaj dhe Dukagjinit, këta të fundit pranuan një gol tejet të çuditshëm në minutën e 16-të shtesë.

Përderisa Prishtina u mposht nga Trepça, Dukagjinit aspak nuk iu nevojiteshin pikët në këtë ndeshje, pasi që tashmë e kishte siguruar vendin e katërt.

Dhe, në minutën e fundit shtesë, portieri i Dukagjinit, Atik Muhaxhiri, e pranoi një gol shumë të çuditshëm apo qesharak.

Pra, me këtë fitore, tani Ferizaj mbetet në pozitën e tetë (zonën e barazhit) dhe mund të mbetet pjesë e elitës së futbollit kosovar edhe për edicionin e ardhshëm në rast se arrin ta mposht Lirinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore