Euro 2024

Ish-futbollisti kroat: “Shqiptarët na dhanë një mësim se si të vdesim për kombëtaren”


Ish-futbollisti kroat dhe tashmë trajner, Robert Spehar ka analizuar takimin e së mërkurës mes Kroacisë dhe Shqipërisë, i përfunduar në barazim 2-2 falë një goli të vonë nga Klaus Gjasula.

Kroacia edhe pse arriti një barazim ndaj Shqipërisë, pati një nivel loje shumë të dobët, krahasuar me atë çfarë ka dhënë në vitet e fundit.

Dhe, Spehar e analizon më se miri nivelin e lojës së kombëtares së tij, teksa shton se “shqiptarët na dhanë një mësim se si të vdesim për kombëtaren”.

“Keq, keq, keq, kjo është përshtypja ime e përgjithshme për lojën e kombëtares (kroate) pas dy ndeshjeve të luajtura në Euro”, tha ai fillimisht.

“Kundër spanjollëve, nuk luajtëm pothuajse asgjë në pjesën e dytë. Në të parën kundër Shqipërisë nuk ishim askund dhe Domnik Livakovic duhej të shpëtonte. Nëse ai nuk do të ishte në lartësinë e detyrës dhe shqiptarët do të kishin kaluar në avantazh 2-0 nga ai rast i madh në pjesën e parë, kushedi si do të kishte përfunduar”.

“Sinqerisht, shqiptarët na dhanë një mësim se si të vdesim për kombëtaren. Është e qartë se në këtë Euro ne nuk jemi aq realë sa kemi qenë”.

“Fatkeqësisht, e njëjta gjë vlen edhe për liderin e skuadrës sonë, Luka Modric, i cili nuk është ai që ka qenë”, shtoi Spehar.

Kroacia aktualisht renditet në fund të Grupit B, me një pikë. Shqipëria mban vendin e tretë, me po një pikë, falë golavarazhit më të mirë. Spanja dhe Italia, të cilat përballen sot në mbrëmje, kanë nga tre pikë.

Ndeshjet e fundit në Grupin B do të zhvillohen të hënën e 24 qershorit. Shqipëria do të përballet me Spanjën, ndërsa Kroacia ndeshet me Italinë. Të dy takimet fillojnë nga ora 21:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore