Lajme

Ish-diplomati serb: Asociacioni është ‘karrem’ për Serbinë – Anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk varet nga Serbia


Milan Protiç

Historiani serb, Milan Protiç, në një intervistë për gazetën opozitare serbe “Nova”, ka thënë se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është vetëm një “karrem” për Serbinë.

“Nuk ka asnjë përmirësim për serbët atje, çfarëdo që të ndodhë. Dhe nëse Asociacioni është ‘shtet brenda shtetit’, jeta e serbëve në Kosovë nuk do të ndryshojë”, ka vlerësuar Protiç.

Tutje, ish-diplomati serb shprehet skeptik se Serbia do të ketë ndonjë rol në vendimmarrjen e brendshme në Kosovë edhe pas formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Asociacioni është vetëm një karrem që e kanë marrë autoritetet tona, sepse ata mendojnë se nga kjo mund të rezultojë me përmirësim në jetën e serbëve në Kosovë dhe se përfundimisht mund të jetë një kanal përmes të cilit shteti i Serbisë do të ketë një lloj ndërhyrje në vendimmarrjen politike të Kosovës”, tha Protiç.

“Ata derdhin lot krokodili kur qëllojnë disa djem ose rrahin ndonjë të pafajëshm, por kjo nuk është një shqetësim për ata njerëz. Këta të djathtët (opozita) dhe ata që janë në pushtet nuk japin asnjë qindarkë për serbët atje, por përkundrazi insistojnë që të qëndrojnë atje”, shtoi ai.

Po ashtu, ai ka theksuar se Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë është pranuar nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili e ka krejt pushtetin në Serbi dhe ka marrë përsipër zbatimin e obligimeve që rrjedhin nga kjo marrëveshje.

Ndërkaq, anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ai e sheh të pamundur në këto rrethana, ndonëse nënvizoi që kjo çështje nuk varet aspak nga shteti i Serbisë, e aq më pak nga presidenti serb.

“A mund ta imagjinojë dikush tani që Rusia do të votojë [pro anëtarësimit të Kosovës] së bashku me amerikanët, francezët dhe anglezët në Këshillin e Sigurimit? Kjo pyetje është absurde në këtë moment”, përfundoi Protiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore