Kosova

Ish-diplomati britanik: Deputetja Kearns po i krijon bindje të gabuara Kurtit


Ivor Roberts

Ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Jugosllavi, Ivor Roberts, në një opinion të tij për mediumin prestigjioz britanik, “The Telegraph” ka komentuar mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në opinionin e tij të titulluar “Kosova dhe Serbia janë afër t’i japin një goditje përfundimtare Putinit”, diplomati Roberts, ka bërë një analogji mes finales së Wimbeldonit dhe dialogut Kosovë-Serbi duke vënë në pah zhurmën e publikut e cila shpërqendron teniserët.

Ky shpërqendrim, sipas tij, po ndodh ndonjëherë edhe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ekziston një perspektivë reale që përpjekjet e tyre do të shpërblehen dhe se dy liderët, presidenti Vuçiç i Serbisë dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, do të bien dakord për kompromiset e dhimbshme dhe të vështira politikisht. Është një moment i rëndësishëm dhe historik”, ka shkruar Roberts duke ia lënë fajin Rusisë për shpërqendrim të Kosovës dhe Serbisë.

“Rusia nuk dëshiron të shohë arritjen e një marrëveshjeje për Kosovën. Pasi Beogradi dhe Prishtina arrijnë marrëveshje, ndikimi i Rusisë në rajon mbaron dhe statusi i saj global zvogëlohet edhe më tej. Prandaj, ne mund të presim që Rusia të krijojë provokime dhe incidente që do ta bëjnë paqen më pak të mundshme”.

Gjithë në këtë mes sipas diplomatit britanik, për fat të keq ka “zhurmaxhi” edhe në anën e Perëndimit.

Roberts duke ndarë përshtypje të disa negociatorëve të lartë, ka theksuar se deputetja britanike, Alica Kearns, po i krijon bindje të gabuara kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

“Observimet e Rebecca Westit për tendencën angleze që të marrë anë në Ballkanin Perëndimor ende janë të vërteta dhe nuk duket të ketë një shembull më të mirë për këtë gjë se Alicia Kearns, kryesuesja e Komitetit për Punë të Jashtme. Ajo natyrisht ka të drejtën të ketë opinionet e saj – por është çështje tjetër nëse pikëpamjet e saj partizane, si dikush që ka pozicion të rëndësishëm, e shtyjnë Kurtin të besojë se ai ka mbështetje ndërkombëtare për rezistencën ndaj kompromiseve ose të pres një marrëveshje më të mirë – dhe negociatorë të nivelit të lartë më kanë thënë se ky është saktësisht efekti që intervenimet e saj po e kanë”, ka shkruar Roberts në opinionin e tij.

Diplomatët dhe negociatorët me përvojë, sipas Roberts, do të kenë të gjitha faktet dhe informacionet që u nevojiten për të ndihmuar Kurtin dhe Vuçiç-in.

“Opinioni dhe emocionet nga mënjanë do të jenë po aq të dobishëm për qëllimet e tyre sa ndërhyrja e Kremlinit. Ndërsa shërbejnë për ndeshjen – dhe çmimi këtu është masiv – heshtja nga audienca do të ishte e përshtatshme”, ka përfunduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore