Lajme

Ish-ambasadori serb: Beogradi të dalë me kundërofertë ndaj propozimit franko-gjerman


Milan Protiç

Për historianin dhe ish-ambasadorin e Serbisë, Milan Protiç, marrë për bazë kornizën e re të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve për politikë të jashtme të Presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe Kancelarit të Gjermanisë Olaf Scholz, të cilin e ka publikuar të dielën e 18 shtatorit, Albanian Post, Beogradi duhet të dal me një kundofertë.

Sipas tij propozimi franko-gjerman, në versionin e tanishëm, është i papranueshëm.

“Nëse një marrëveshje do të arrihet nga të tre palët, do të ishte pozitive për secilin pjesëmarrës. Mendoj se Serbia duhet të reagojë për këtë”, tha Protiç për televizionin serb “TV Nova S”.

Serbia sipas ish-ambadasorit serb duhet të reagoj ndaj këtij propozimi me një kundër propozim në të cilën do të saktësohej se në ditën dhe orën kur Serbia pranohet në anëtarësim të plot në Bashkimin Evropian, duhet të heqë embargon për pranimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Pika e dytë, çështja e mbështetjes financiare, e cila duhet të zgjatet për të paktën 20 vjet dhe të jetë një shifër serioze, le të themi 100 miliardë euro. Së treti, duhet të ketë garanci të forta dhe të shkruara për sigurinë e serbëve në Kosovë dhe për trashëgiminë kulturore të Serbisë. Së katërti, duhet të ketë garanci të forta se integriteti territorial i Serbisë nuk do të jetë më në agjendë pasi të zgjidhet kjo, sepse ne kemi pasur përvoja të këqija me këtë në të kaluarën. Pra, të shohim se si do të reagojë BE-ja ndaj asaj që propozon Serbia”, ka shtuar ai.

Sipas Protiç, Kosova është e humbur për Serbinë dhe se vendimi përfundimtar për zgjidhjen për Kosovën duhet të merret me referendum.

“Ajo që mbetet është formalizimi i gjendjes reale në Kosovë. Ekziston dhe nuk ka asnjë shans që, përveç me luftë, Serbia dhe institucionet e saj të kthehen në Kosovë, dhe nëse dikush mendon të bëjë luftë, së pari do të jetë e tmerrshme për këtë vend, së dyti kur bën luftë, ka mundësi të humbasësh, siç ishte në vitin 1999”, ka theksuar ai.

Ekskluzive, “korniza e re” në dialog: Marrëveshje përmbajtësore vitin e ardhshëm, finalja pas 10 vjetësh – Kosova fiton njohje nga 5-shja e BE’së, anëtarësim në organizata; Serbia përfiton ndihma masive

Të dielën e 18 shtatorit, Albanian Post publikoi dokumentin katër faqesh i cili paraqiste planin në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz.

Aty thuhet se në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

“’Korniza e re’ të cilën e publikoi Albanian Post është propozimi i ri i ardhur direkt nga përfshirja e Macron e Scholz në procesin e dialogut, sepse siç thuhet në dokument ‘Kosova e Serbia në vete nuk do të mund ta zgjidhin kurrë problemin’”.

Dokumenti shpjegon logjikën prapa kornizës së re, përmban vizionin 10 vjeçar të zgjidhjes së problemit dhe jep një “makro-perspektivë”.

Përbëhet nga hyrja dhe më pas është i ndarë në tri segmente bashkë me tre nën-titujt që përmbajnë 13 pika.

Të gjitha segmentet shpjegojnë të ashtuquajturën “kornizën e re”, e cila u është prezantuar Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it.

Propozimi në fund parasheh edhe si të vazhdohet tutje nëse Kosova dhe Serbia nuk pranojnë këtë propozim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore