Lajme

Irlanda do të ndërhyjë në çështjen Afrika e Jugut kundër Izraelit në Hagë


Zëvendëskryeministri i Irlandës, Micheal Martin, ka njoftuar se Dublini do të ndërhyjë në çështjen e Afrikës së Jugut kundër Izraelit sipas Konventës së Gjenocidit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

“Pas analizës së çështjeve ligjore dhe politike që u shfaqën në këtë rast dhe konsultimit me partnerët ndërkombëtarë, zëvendëskryeministri irlandez urdhëroi zyrtarët të fillojnë punën për një Deklaratë të Ndërhyrjes sipas nenit 63 të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, thuhet në një deklaratë nga Qeveria irlandeze.

“Synimi është që Deklarata e Ndërhyrjes do të dorëzohet pasi Afrika e Jugut të ketë dorëzuar përmbledhjen e saj. Kjo ka të ngjarë të zgjasë disa muaj. Irlanda do të punojë ngushtë me një numër të partnerëve që kanë konfirmuar synimin e tyre për të ndërhyrë”, vijon deklarata.

Martin sakaq ka bërë me dije se i takon Gjykatës të përcaktojë nëse po kryhet gjenocid, por” dua të jem i qartë duke përsëritur se ajo që pamë më 7 tetor në Izrael dhe ajo që po shohim tani në Gaza përfaqëson qartë shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar në një shkallë të gjerë”.

Sipas tij, marrja e pengjeve; ndalimi i qëllimshëm i ndihmës humanitare për civilët; shënjestrimi i civilëve dhe infrastrukturës civile; përdorimi pa kriter i armëve shpërthyese në zonat e populluara; përdorimi i aseteve civile për qëllime ushtarake është ndëshkim kolektiv i një populli të tërë.

“Lista mund të vazhdojë, por duhet të përfundojë. Pikëpamja e bashkësisë ndërkombëtare është e qartë: mjaft është mjaft”, ka theksuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore