Lajme

Irani njoftoi krijimin e raketës së parë balistike hipersonike


Autoritetet iraniane njoftuan zhvillimin e raketës së tyre të parë balistike hipersonike.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia shtetërore iraniane “IRNA”, duke cituar komandantin e Forcave Ajrore dhe Hapësinore të IRGC-së, Amirali Hajizadeh.

“Kjo raketë e re do të kalojë nëpër të gjitha sistemet e mbrojtjes kundër raketave dhe nuk mendoj se do të ketë teknologji të aftë për ta kundërshtuar atë për dekada”, tha Hajizadeh, duke shtuar se raketa është zgjidhja për të shkatërruar sistemet antiraketë të armikut dhe një “hap i rëndësishëm” në këtë sferë.

Armët hipersonike mund të udhëtojnë pesë herë mbi shpejtësinë e zërit.

Në të njëjtën kohë, agjencia “Reuters” thekson se deri më tani nuk ka pasur raportime për testimin e një rakete të tillë nga Irani.

Edhe pse Teherani ka zhvilluar një industri të madhe të brendshme armësh mes sanksioneve dhe embargove ndërkombëtare, analistët ushtarakë perëndimorë thonë se Irani ndonjëherë ekzagjeron aftësitë e tij të armëve.

Njoftimi erdhi pasi SHBA-të shprehën shqetësimin se Rusia mund të blejë raketa iraniane tokë-tokë për përdorim në Ukrainë, përveç dronëve që ka blerë tashmë nga Teherani.

Në veçanti, autoritetet ukrainase janë të vetëdijshme për planet e Rusisë për të blerë raketa balistike Fateh-110 dhe Zolfaghar nga Irani dhe për t’i dorëzuar ato nga ajri në Krime dhe nga deti në portet ruse në Detin Kaspik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore