Lajme

Irani e lajmëron Amerikën: Nëse përfshiheni në konflikt, do të sulmoheni


Irani duket se e ka paralajmëruar qartësisht palën amerikane për atë çfarë mund të ndodhë, në rast se Washingtoni përfshihet në konfliktin mes Izraelit dhe Republikës Islamike, i cili aktualisht mbetet konflikt në distancë dhe përmes Proxy-ve në rajon.

Irani e ka bërë tashmë të ditur se do të përgjigjet për një sulm që Izraeli kreu në ambasadën iraniane në Siri, duke lënë disa të vdekur, përfshi një ushtarak të lartë iranian.

Megjithatë, është thënë po ashtu se përgjigja do të jetë proporcionale dhe do të shmangë përshkallëzimin e gjerë.

Kështu mendohej të paktën deri në orët e vona të 11 prillit, por gjatë pasdites së 12 prillit, të tjera detaje janë mësuar.

Ajo çfarë kuptohet, është se Irani i ka dërguar SHBA-ve disa mesazhe përmes vendeve të tjera arabe.

Në këto mesazhe, është bërë e qartë se nëse Amerika përfshihet ushtarakisht në çështjen mes Izraelit dhe Iranit, atëherë do të goditen edhe objektiva amerikane të vendosura prej kohësh në Lindjen e Mesme, por pa i specifikuar ato.

Ky fakt u bë publik nga media Axios, e cila ka përmendur tre burime në radhët e zyrtarëve të lartë amerikanë.

Mesazhi, mësohet se ka qenë i tillë: Ne do të sulmojmë forcat që na sulmuan, ndaj mos u merrni me ne dhe ne nuk do të merremi me ju”.

Kështu i janë drejtuar iranianët amerikanëve në citimin e një prej zyrtarëve që Axios ka përmendur në publikim.

Po ashtu, zyrtarët amerikanë kanë njoftuar Izraelin për këtë mesazh dhe i kanë bërë të qartë Benjamin Netanyahut dhe nga ky çast e më tej, Washingtoni do të njoftohet përpara çdo lëvizjeje që Izraeli do të kërkojë të ndërmarrë në këtë konflikt. Madje, do të jetë Amerika, ajo e cila do të thotë fjalën e fundit përpara çdo sulmi apo përgjigjeje izraelite, siç është kërkuar nga Administrata Biden.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore