Lajme

Iran/ Arrestohet me akuza për spiunazh shtetasi suedez


Ministria e Inteligjencës e Iranit thotë se ka arrestuar një shtetas suedez me akuzën e spiunazhit pasi e kishte nën vëzhgim për disa kohë. 

Një deklaratë e ministrisë së inteligjencës të shtunën nuk e përmendi emrin e shtetasit suedez dhe nuk dha ndonjë informacion në lidhje me moshën apo vendndodhjen e tij. 

Është gjithashtu e paqartë nëse ky është i njëjti individ, arrestimi i të cilit ishte njoftuar nga ministria e jashtme suedeze në maj. Në atë kohë, Suedia kishte thënë se një turist rreth të 30-tave ishte arrestuar, por Irani nuk e kishte raportuar arrestimin. 

Por deklarata e ministrisë iraniane të inteligjencës të shtunën përmendi se udhëtimet e individit të arrestuar u monitoruan nga afër që nga koha e papërcaktuar kur ai hyri në vend dhe se udhëtimet e tij ishin “kryer tërësisht jashtë destinacioneve dhe praktikave turistike”. 

“Gjetjet nga struktura anti-spiunazh i ministrisë tregojnë se i dyshuari suedez ishte në kontakt me një numër elementësh të dyshuar evropianë dhe jo-evropianë në Iran, duke përdorur praktika profesionale të komunikimit”, thuhet në deklaratë. 

Ministria tha se shtetasi suedez u rikthye në vend disa muaj më parë, menjëherë pasi u arrestua “një spiun tjetër evropian”. 

Ambasada suedeze në Iran

Qëllimi i individit, pretendonte institucioni, ishte të zbulonte se si u arrestua personi tjetër dhe çfarë informacioni kishin ata, gjë që çoi në arrestimin e shtetasit suedez në përpjekje për të dalë nga vendi. 

Ministria iraniane e inteligjencës njoftoi gjithashtu se personi i arrestuar kishte një histori udhëtimi në Izrael, armiku i madh i Iranit. 

Në maj, inteligjenca iraniane arrestoi dy shtetas francezë të akuzuar se ndihmuan në organizimin e protestave nga mësuesit. 

Javën e kaluar, inteligjenca iraniane dhe agjencitë e zbatimit të ligjit kanë njoftuar arrestimin e dy ekipeve të veçanta që dyshohet se punonin për agjencinë e spiunazhit të Izraelit Mossad. 

Lajmi për arrestimin e shtetasit suedez vjen mes tensioneve në rritje midis Teheranit dhe Stokholmit. 

Irani ka dënuar Suedinë për arrestimin dhe gjykimin e Hamid Nouri, një shtetas iranian i cili u dënua me burgim të përjetshëm në fillim të këtij muaji. 

Nouri u dënua për vrasje gjatë kohës së tij si ndihmës i zv/prokurorit në burgun Gohardasht jashtë qytetit iranian të Karaj në 1988. 

Teherani tërhoqi ambasadorin e tij në Suedi javën e kaluar për “konsultime”, por tha se nuk ka plane të menjëhershme për të ndërprerë apo reduktuar lidhjet diplomatike. 

Irani po mban gjithashtu Ahmad Reza Jalali, një studiues iranio-suedez, si të burgosur që nga viti 2016 për akuzat për spiunazh. 

Jalali u dënua me vdekje, por dënimi i tij ende nuk është kryer pavarësisht raportimeve në fillim të këtij viti se ai mund të ekzekutohej para fundit të majit. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore