Kosova

IPK rekomandon suspendimin e një kapiteni policor, dyshohet për “dhunë në familje”


Inspektorati Policor i Kosovës.

Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një kapiteni policor, respektivisht shefit të sektorit qendror për hetimin e trafikimit me njerëz.

Siç kanë bërë të ditur nga IPK-ja përmes një komunikate për media, rekomandimi është bërë bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së pasi që kapiteni policor është i dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje”.

Aty theksohet se hetuesit e IPK-së janë në komunikim të vazhdueshëm lidhur me këtë rast me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë të cilës i janë përcjellë raporte/deklarata lidhur me veprimet hetimore.

“IPK në kuadër të veprimeve hetimore, sipas procedurave të parapara ka njoftuar edhe Mbrojtësin e Viktimave të cilët kanë parashtruar kërkesën për Urdhër Mbrojtës në gjykatën kompetente”, theksohet.

Aty potencohet se duke marrë për bazë dyshimin për veprën penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së, është rekomanduar suspendimi i kapitenit policor.

Nga IPK-ja kanë bërë të ditur se veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga  hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore