Shqipëria

IOM: Shqipëria dhe Kosova regjistruan hyrjet më të ulëta të refugjatëve në fillim të vitit


Në muajin e parë të vitit më pak se 10 mijë refugjatë (9 mijë e 937) janë regjistruar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kjo, sipas një raporti të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).

Dokumenti mujor i përditësuar nga organizata vëren se numri më i lartë i hyrjeve të regjistruara në rajon mbetet Serbia me 7 mijë e 400 të tilla.

Pas saj renditet Bosnjë dhe Hercegovina me 1 mijë e 363 regjistrime në mbërritje dhe Maqedonia e Veriut me 506.

Ndjekin Mali i Zi me 361 regjistrime, ndërsa Shqipëria dhe Kosova ruajnë shifrat më të ulëta në rajon për refugjatë të pranuar respektivisht me 219 dhe 79.

Kujtojmë që gjatë vitit të kaluar u shënua një rekord pranimesh me më shumë se 190 mijë refugjatë të regjistruar në total në Ballkanin Perëndimor.

Në përqindje, Kosova dhe Shqipëria përbëjnë 0.8 për qind dhe 2.2 për qind të mbërritjeve në muajin janar 2023, sipas IOM-it.

Për Shqipërinë, tre kombësitë kryesore që kanë hyrë në vend janë Afganë (47 për qind), Sirianë (18 për qind) dhe Iranianë (8 për qind).

Ndërsa në Kosovë tre kombësitë kryesore të refugjatëve të pranuar gjatë kësaj periudhe ishin Marokenë (58 për qind), Sirianë (9 për qind) dhe Jordanezë (8 për qind).

3 mijë e 893 migrantë janë strehuar në ambientet e pritjes në Ballkanin Perëndimor, referuar statistikave zyrtare të IOM-it.

Kjo përkthehet në zënien e 27.2 për qind të kapaciteteve pritëse.

Pjesa e migrantëve të strehuar në Ballkanin Perëndimor për muajin janar, në Kosovë ishte 0.8 për qind ndërsa në Shqipëri për të njëjtën periudhë ishte 0.4 për qind.

Kosova dhe Shqipëria kanë gjithashtu numrin më të ulët të kthimeve të refugjatëve përgjatë viteve 2016-2022 me 41 dhe 15 dëbime.

Të paktën 5 mijë e 909 migrantë të paligjshëm vdiqën në vitin 2022 në kërkim të një jete më të mirë, sipas një raporti të IOM-it.

Në raport thuhet se 2 mijë e 406 emigrantë kanë vdekur në Mesdhe dhe 1 mijë e 318 emigrantë kanë vdekur në Amerikë.

Rreth 1 mijë vdekje u regjistruan në Afrikë dhe 157 në Evropë.

93 emigrantë vdiqën në Azinë Perëndimore.

IOM-ja njoftoi se, si pjesë e Projektit të Migrantëve të Zhdukur, i cili regjistron emigrantët që vdiqën në kufijtë shtetërorë, ose në procesin e migrimit në një destinacion ndërkombëtar, vdekjet e 53 mijë e 568 personave janë regjistruar që nga viti 2014.

Gjatë kësaj periudhe, rruga më vdekjeprurëse ishte Mesdheu qendror, ku të paktën 20 mijë e 419 njerëz vdiqën gjatë asaj periudhe.

Shkaku më i zakonshëm i vdekjes ishte mbytja, e cila u regjistrua për 21 mijë e 156 persona.

Eshtrat e 22 mijë e 919 personave që humbën jetën gjatë migrimeve nuk janë gjetur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore