Shqipëria

Investimet strategjike/ Antikushtuese rrëzimi i kërkesës së opozitës për Komisionin Hetimor, thotë Alibeaj


“Është një çështje që ka interes publik dhe e drejta e opozitës, fatkeqësisht e nëpërkëmbur. Investimet strategjike, familjare strategjike në kurriz të pasurive publike, duket se është një skandal i madh, ndaj i largohen si djalli nga temjani”.

Kështu është shprehur kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, për ngritjen e një komisioni hetimor për ligjin e investimeve strategjike, të cilin e ridepozitoi sërish në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.

Sipas tij, mazhoranca nuk e pranoi kërkesën e Alibeajt, jo se nuk ishte në rend dite, por se kjo çështje “e demaskon qeverinë”.

“Ne kërkuam ngritjen e komisionit hetimor, që është nga instrumentet më të rëndësishëm të opozitës. Ne ridepozituam kërkesën, tashmë jo me 35, por me 37 firma. Në mënyrën më antikushtetuese, antiligjore, nga ana e anëtarëve të mazhorancës në konferencë rrëzohet kjo kërkesë”, u shpreh Alibeaj ndër të tjera.

Kujtojmë se Konferenca e Kryetarëve u mblodh për të vijuar me procedurat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Mes debateve opozitë-mazhorancë u vendos që raundi i katërt i votimeve do të mbahet më 4 qershor ora 18:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore