Lajme

Investimet kapitale, Qeveria favorizon komunat e udhëhequra nga LVV-ja


“Investimet e reja kapitale të nivelit qendror nëpër komuna favorizojnë komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje”, thuhet në një analizë të institutit GAP i cili ka analizuar ndarjet buxhetore për vitin 2023, duke i krahasuar ato me vitin 2022.

Nga 51.2 milionë euro investime kapitale të reja të nivelit qendror këtë vit, janë rreth 22 milionë euro të cilat janë destinuar për projekte specifike në 20 komuna.

“Mbi gjysma e kësaj shume (52 për qind apo 12 milionë euro) do të orientohet tek tri komunat e udhëhequra nga VV, komuna që mbulojnë 9 për qind të territorit të Kosovës dhe 8 për qind të popullsisë”, thuhet në analizë.

Sipas GAP-it, nga komunat që do të jenë përfitueset më të mëdha, veçohet Komuna e Gjilanit, e udhëhequr nga VV, e cila do të përfitojë investime me vlerë 7 milionë euro apo rreth 31 për qind të investimeve të reja të nivelit qendror në komuna për vitin e ardhshëm.

Kurse, Komuna e Shtimes, e cila po ashtu udhëhiqet nga VV, do të jetë përfituesja e dytë më e madhe me rreth 3.9 milionë euro apo 17.1 për qind të investimeve të reja.

“Komuna e tretë që do të përfitojë mbi 15 për qind të investimeve kapitale të reja apo rreth 3.5 milionë euro është ajo e Mitrovicës, e udhëhequr nga PDK”.

Ndërkaq, komunat e udhëhequra nga AAK do të përfitojnë vetëm 1 për qind të investimeve të reja kapitale nga niveli qendror përkundër se ato mbulojnë 8% të territorit të Kosovës dhe përfaqësojnë 8% të popullsisë.

Ndërkaq janë 18 komuna të cilat nuk do të përfitojnë fare nga investimet e reja të nivelit qendror në komuna.

Sipas GAP-it, element që në vazhdimësi kanë ndjekur realizimin e buxhetit ndër vite, janë përsëritur edhe në vitin 2022 dhe në planifikimin për vitin 2023, e ato janë: dinamika e ulët e realizimit të investimeve kapitale, mos ndërlidhja e buxhetit me planifikimet afatmesme dhe afatgjata, përdorim i madh i linjave buxhetore pa destinim konkret, neglizhimi i perspektivës gjinore.

Ndryshe më 28 tetor 2022, Qeveria aprovoi Projektligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2023, kurse Kuvendi e aprovoi në lexim të parë më 17 nëntor 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore