Lajme

Intervistë me shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark: Situata e sigurisë në Veri është e brishtë, s’përjashtohet mundësia e shtimit të radhëve atje


Shefi i Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars Gunnar Wigemark

Shefi i Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars Gunnar Wigemark, në një intervistë për Albanian Post, thotë se situata në pjesën veriore të Kosovës është e brishtë dhe tensionet e larta.

Në EULEX janë të shqetësuar me sulmet dhe vakumin institucional që tash mbretëron atje.

“Kriminaliteti në veri të Kosovës është shqetësues. Vakumi i sigurisë i krijuar pas dorëheqjeve të policëve serbë të Kosovës mund të shfrytëzohet nga grupet kriminale”, thekson Wigemark në këtë intervistë për Albanian Post.

Tash kur janë shtuar tensionet në Veri, prezenca e policëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në pjesën veriore të Mitrovicës është dukshëm më e madhe, por ajo mund të rritet akoma, po qe nevoja, thotë Wigemark.

“Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it (NJPS) përbëhet nga 105 policë polakë të stacionuar në Mitrovicë. Në nëntor, një Njësi Policore e Specializuar Rezervë (NJPSR) e përbërë nga 24 xhandarë nga Karabinierët italianë dhe pesë xhandarë nga Lituania u zbarkua përkohësisht në Kosovë për ta përforcuar kapacitetin e Njësisë Policore të Specializuar ekzistuese të EULEX-it”, shton ai për AP.

Suedezi është i njohur me situata tensioni në Ballkan prej kohësh. Nga 2015 deri me 2019 ishte shef i delegacionit të BE-së në Bosnje e Hercegovinë dhe Përfaqësues Special i BE-së në BeH, derisa  kishte punuar edhe në Serbi nga në vitet e 90-ta, duke shërbyer si sekretar i dytë i Ambasadës e Suedisë në Beograd.

Sa i përket organizimit të zgjedhjeve në katër komunat thotë se “duhet të merren parasysh me kujdes të gjithë faktorët e sigurisë”, nëse ato duhet të mbahen, apo jo.

Gjithsesi, në fund, vendimin duhet ta marrin institucionet e Kosovës.

Intervista e plotë e Shefit të Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars Gunnar Wigemark, dhënë për Albanian Post

Albanian Post: Cila është gjendja e sigurisë në Veri dhe a jeni të të shqetësuar me çfarë po ndodhë atje?

Lars Gunnar Wigemark: Po, jemi të shqetësuar lidhur me sulmet e dhunshme të fundit në pjesën veriore të Kosovës dhe i dënojmë ato. Është me rëndësi që të ruhet qetësia, të tregohet vetëpërmbajtje dhe të hiqet dorë prej çfarëdo veprimi provokues.

Situata e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës është e brishtë dhe ekziston një vakum i sigurisë pas dorëheqjeve të policëve serbë të Kosovës.

EULEX-i vazhdon të jetë vigjilent dhe i monitoron nga afër të gjitha zhvillimet të cilat mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës, si dhe në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë, përmes një numri të rritur dukshëm të patrullimeve vëzhguese, përfshirë patrullimet në këmbë në të gjitha komunat veriore, gjegjësisht në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Përmes pranisë sonë të shtuar atje ne jemi duke u përpjekur që ta sigurojmë popullatën lokale nga të gjitha komunitetet se ato janë të sigurta dhe se njerëzit mund të ndjehen të sigurt.

Albanian Post: Cili është kapaciteti i EULEX-it aktualisht në Veri, a i keni shtuar radhët?

Lars Gunnar Wigemark: Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it (NJPS) përbëhet nga 105 policë polakë të stacionuar në Mitrovicë.

Në nëntor, një Njësi Policore e Specializuar Rezervë (NJPSR) e përbërë nga 24 xhandarë nga Karabinierët italianë dhe pesë xhandarë nga Lituania u zbarkua përkohësisht në Kosovë për ta përforcuar kapacitetin e Njësisë Policore të Specializuar ekzistuese të EULEX-it.

NJPS-ja dhe NJPSR-ja të EULEX-it janë duke kryer patrullime vëzhguese mobile 24/7 me ndërrime. Ato janë duke e monitoruar nga afër situatën e sigurisë në pjesën veriore  të Kosovës, përfshirë Mitrovicën e Veriut, si dhe janë duke i ndjekur zhvillimet e fundit, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës.

NJPSR-ja do të vazhdojë të jetë e pranishme në terren për momentin. Në varësi të zhvillimeve në terren, nuk mund të përjashtohet një rritje e mëtejshme në NJPS-në e EULEX-it.

Përveç NJPS-së, Këshilltarët e Lartë Policorë të EULEX-it në veri janë të bashkëvendosur në Drejtorinë Rajonale Veriu të Policisë së Kosovës dhe ofrojnë këshilla dhe mbështetje për Policinë e Kosovës në nivel të rajonit dhe stacioneve për një numër çështjesh që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve policore.

Albanian Post: Besoni se ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në Veri?

Lars Gunnar Wigemark: Sa i përket organizimit të zgjedhjeve të pjesshme në pjesën veriore, autoritetet e Kosovës duhet të marrin parasysh me kujdes të gjithë faktorët e sigurisë, administrativë dhe politikë për të siguruar që zgjedhjet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të mbahen në kushte paqësore. Situata e sigurisë në lidhje me këto zgjedhje është duke u vlerësuar nga institucionet e Kosovës.

Albanian Post: Cilat janë informacionet e EULEX-it për grupet kriminale që po operojnë në Veri dhe sa janë të rrezikshmen ato?

Lars Gunnar Wigemark: Më 31 korrik, EULEX-i ka vërejtur një prani të konsiderueshme dhe shqetësuese të armatosur në barrikadat e ngritura në pjesën veriore të Kosovës. Si përgjigje ndaj kësaj, EULEX-i i ka shtuar më shumë patrullat vëzhguese të tij në pjesën veriore të Kosovës dhe fatmirësisht nuk ka hasur në një prani të ngjashme që atëherë. Megjithatë, sulmi i kohëve të fundit në Zyrën e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut ngre shqetësime të ngjashme, veçanërisht përdorimi i bombave të dorës apo atyre “çorientuese” dhe të shtënat me armë, që bëjnë të ditur për praninë e armëve. Ne i dënojmë fuqishëm këto akte të dhunshme dhe u bëjmë thirrje përgjegjësve që të përmbahen nga çdo veprim i tillë provokues. Të gjithë duhet të jenë të qetë dhe të tregojnë përmbajtje.

Krahas këtyre shqetësimeve, edhe kriminaliteti në veri të Kosovës është shqetësues. Vakumi i sigurisë i krijuar pas dorëheqjeve të policëve serbë të Kosovës mund të shfrytëzohet nga grupet kriminale. I takon agjencive të zbatimit të ligjit që ta parandalojnë këtë. Në kuadër të mandatit dhe kapaciteteve të tij, EULEX-i është përkrahës i këtyre masave parandaluese, por ne nuk mund ta zëvendësojmë Policinë e Kosovës, e cila është reaguesi i parë i sigurisë.

Në fund, më lejoni të theksoj se çdo sulm ndaj policëve të Policisë së Kosovës që kryejnë punën e tyre është i papranueshëm.

Albanian Post: Cili është bashkëpunimi juaj me institucionet e Kosovës?

Lars Gunnar Wigemark: Në bazë të mandatit tonë, misioni i përgjithshëm i EULEX-it është që t’i mbështesë institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit, kurse Misioni gëzon bashkëpunim të ngushtë me to. Ne bashkëpunojmë ngushtë edhe me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Për më tepër, si reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, EULEX-i gjithashtu po punon krah për krah me reaguesit e parë dhe të tretë, Policinë e Kosovës dhe NATO/KFOR-in.

Në përgjithësi, ne jemi të kënaqur me bashkëpunimin me institucionet e Kosovës. Ne kemi një qëllim të përbashkët: ta bëjmë sistemin e sundimit të ligjit më të përgjegjshëm, më të qasshëm dhe më të besueshëm për të gjithë njerëzit nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore